Izet Haxhia dua të përballem dhe ballafaqohem me denoncuesin tim Sali Berisha”. Kjo ka qenë kërkesa e parë e Izet Haxhisë përpara Gjykatës së Tiranës, ku ka depozituar një kërkesë për rigjykimin ndaj tij dhe rihapjen e dosjes “Azem Hajdari”.
“Denoncuesi dhe akuzuesi im Sali Berisha ka një marrëveshje të bërë në “Rogner” për të ekzekutuar disa persona. Mes tyre edhe mua. Disa i vranë, mua jo”, ka deklaruar Izeti përpara trupës gjykuese, duke folur për një plan të gjerë ekzekutimesh të cilat sipas tij mbajnë autorësinë e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, ngjarje për të cilën ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor. Në 14 qershor do jetë seanca e dytë ku do të shpalosen pretendimet e Prokurorisë. Kërkesa e palës mbrojtëse është rihapja e këtij procesi.
Me pranga në duar dhe i qeshur
Me pranga në duar, i veshur me kostum të zi dhe i qeshur. Kështu ka dalë sot Izet Haxhia përpara Gjykatës së Tiranës, pas ekstradimit vullnetar nga Turqia. Report Tv ka siguruar pamjet e para të ish-truprojës së Sali Berishës, i cili për herë të parë shfaqet përpara një gjykate shqiptare. I shoqëruar nga forcat e rendit, Izeti ishte i qeshur, teksa shkëmbente edhe batuta me policët, ndërsa nga përtej xhamit të sallës gjyqësore përshëndetej edhe me të afërmit.
Izet Haxhia kërkon rihapjen e dosjes “Azem Hajdari”, kërkesë e cila do shqyrtohet sot nga Gjykata e Tiranës. Trupa gjykuese kryesohet nga gjyqtari Besnik Hoxha, i cili është bërë i njohur për gjyqin e 21 janarit pasi shpalli të pafajshëm gardistët që vranë 4 protestuesit e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai ka gjykuar edhe çështjen “Gërdeci” ku humbën jetën 26 persona nga shpërthimi i fabrikave të demontimit të armëve.
Në këtë proces, Izet Haxhia mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla, ndërsa pala e akuzës nga Prokurori Petrit Bici.
Ndërkohë në seancën gjyqësore merr pjesë edhe një nga familjarët e Izet Haxhisë, Ismet Haxhia, si dhe miku i tij, Romeo Kara, ish-avokat i OSHEE-së i cili ka denoncuar skandalin e privatizimit të OSSH te çekët e CEZ-it. Për dënimin në mungesë ndaj Izet Haxhisë, Gjykata e Strasburgut ka vlerësuar se procesi ndaj Izetit ka pasur parregullsi.


