Opozita shqiptare ka marrë një vendim drastik për të djegur mandatet, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, ithtar i kësaj ideje që prej një viti ka folur për median italiane “Il Messagero”, duke shpjeguar se çfarë e pret Shqipërinë dhe Edi Ramën në muajt në vijim.
Berisha gjithashtu me tone të ashpra ka thënë se nëse kryeministri Edi Rama nuk do japë dorëheqjen atëherë qytetarët do ta vrasin dhe do ta hedhin atë në lumë.
Pjesë nga deklarata:
“Të largohet, të lejojë krijimin e një qeverie të përkohshme me mandatin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira për të garantuar paqen sociale në Shqipëri. Beteja është e vështirë, por këto protesta qenë një mësim i mirë e shpresoj që Rama të kuptoj, përndryshe do të ketë ditë të vështira, njerëzit do ta vrasin e do ta hedhin në lumë”, ka thënë Berisha.
Por kjo nuk është dalja e vetme publike në të cilën Berisha e ka sulmuar deri në “vdekje” kryeministrin Rama, duke bere keshtu deklarata nga më të ashprat, qofshin ato edhe në “mediat e dynjasë” siç do ta quante Rama.
Disa prej tyre:
“Do kallet politikisht dhe fizikisht”
“Edi Rama do të digjet në këtë kazan, kanabisi dhe drejtësia do ta kallin Edi Ramën, politikisht apo fizikisht është gjë tjetër. Ç’farë bëri ai, shpërndau Europës se gjykata Kushtetuese ëshë funksionale. Ky i ka djegur të gjitha etapat dhe i ka shkelmuar të gjitha ligjet. Plani B është përmbysja me forcë e tij, nëqoftë se shqiptarët nuk e përmbysin. Përmbysja me forcë e tij sa më shpejt, rrugë tjetër nuk ka”, u shpreh Berisha.
“Do mjerohesh”
“Flamuri i studentëve është flamur i shpresës, flamur i të drejtës!” Një paralajmërim për Ramën: “Një qime floku po u preke studentëve do mjerohesh!”
“Do kesh fundin e etërve të tu”
“Te rinjtë e Kukësit në proteste kunder Edi Rames per lirimin e te burgosurve politik! 30 vjet me pare, xhelati Kristaq Rama do firmoste varjen ne sheshin e qytetit per motive politike te poetit te shquar Havzi Nela. Sot i biri Edvini, ne nje akt urrejtje dhe hakmarrje aterore mban te burgosur politik 11 qytetare guximtare te Kukesit! Fati i eterve mizore e pret! sb”.
“Po të vazhdonte 21 janari do e vrisja”
Gjatë një interviste televizive me Sokol Ballën, Berisha kujton edhe 21 janarin.
Ai thotë për herë të parë, se në zyrë i ka shkuar një zyrtar amerikan, i dërguar nga Klinton, që i ka kërkuar të mos shkojë disa ditë në zyrë.
Por Berisha nuk e dëgjoi dhe thotë se kishte urdhëruar snajperat, që të vrisnin Edi Ramën.
Ai thotë se gjatë historisë së tij politike, ka vepruar i nxitur edhe nga Kanuni.
/AlpeNews.al