Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës së tij në Real Story tha se kjo opozitë në shesh mund të mbledhë vetëm punonjësit e bashkisë, teksa shtoi se nuk ka armik të huaj që mund t’i bëjë keq vendit më shumë sesa ç’bën kjo opozitë.
“Asnjë forcë e huaj, asnjë armik i Shqipërisë nuk mund të bënte atë që bëjnë sot këta (opozita). Nuk mund të organizonte atë që bëri sot një palo shqiptar me atë shiringën në dorë dhe pasi një palo kryetar shkatërroi plotësisht solemnitetin e votimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të futjes së Maqedonisë së Veriut në NATO, duke prishur dhe traditën e mikëpritjes”.
“Forcat e interesuara jashtë nuk mund t’i bëjnë dot vendit keq, më shumë se ata që mund të bëjnë këta që janë brenda. Pastaj, a shfrytëzohen dot këta që janë brenda nga ata që janë jashtë, kjo s’do as mend e as kalem. Kjo është një opozitë aq e dobët, sa nuk arrin të krijojë alternativë”, shtoi Rama.


