2 Prilli është dita dedikuar personave që vuajnë nga Autizmi. Në bashkinë e Elbasanit prej vitesh ofron shërbime mësimore edhe shkolla speciale “Zëra Jete” në të cilën janë rreth 70 fëmijë të cilët vijojnë procesin edukimor.
Të jetuarit me një fëmijë autik është një sfidë çdo ditë, sfidë e cila vështirësohet edhe më shumë kur bëhet fjalë për të qëndruar gjithë kohën në izolim.
Por ka nga ata prindër që nuk dorëzohen dhe vijojnë t’i ndihmojnë fëmijët e tyre.
Roza Pepa: Vështirësia më e madhe është se ata nuk rrinë brenda. Shyqyr unë jam në shtëpi private dhe e nxjerr pak te baçja se mërzitet. Ambienti i mbyllur i acaron jashtë mase. Duan sa më shumë të dalin, ti nxjerrësh në këndet e lojërave. I pëlqen shumë shkolla.
Mësimdhënia për fëmijët me aftësi ndryshe pas ndërprerjes së procesit mësimor për shkak të koronavirusit, ka vijuar online.
Drejtoresha e këtij institucioni pranon se fillimi ishte shumë i vështirë për të vijuar mësimin online, por tani mund të thuhet se mësimi vijon normalisht.
Rezarta Biçoku: Zhvillimi i mësimit online për ne mësuesit e shkollave speciale ka qenë një sfidë fillimisht por më pas ja kemi dalë. Jemi përballur me një provë të madhe ku ne duhet të jemi krijues.
2 Prilli njihet ndryshe edhe si dita “blu” si një mënyrë për të bërë thirrje për më shumë solidarizim edhe për këtë kategori të veçantë njerëzish.