Dita e Europës është festuar në mënyrë të veçantë këtë vit në qytetin e Vlorës, ku djemtë e aeronautikës shqiptare kanë fluturuar mbi qytetin e Vlorës më flamurin kuq e zi.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Grupit Parlamentar te Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në fjalën e tij deklaroi se nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën.
“Falenderoj djemtë e aeronautikës shqiptare, për organizimin e këtij eventi kaq domethënës, se si aspiratën më të rëndësishme historike të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Europian e mban nën krahët e vet shqiponja dykrenare. Kjo ishte simbolika e këtij aktiviteti të organizuar nga djemtë, duke fluturuar sot mbi Vlorë dhe duke qenë se u ndodha këtu pranova me kënaqësi ftesën dhe nga Vlora do të doja ti uroja sëpari familjes së madhe europiane ‘Gëzuar Ditëlindjen’, 9 Maji është dita e Europës, ku çdo vend anëtar dhe institucion i BE-së feston këtë ditë. Nga Vlora do të doja të shprehja urimet më të mira dhe nuk besoj se ka një vend tjetër në Shqipëri se ku shqiptarët mund ti drejtohen më mirë sesa në Vlorë Europës, sepse nga Vlora i janë drejtuar gjithmonë shqiptarët Europës me mesazhe shumë të rëndësishme, sikurse ishte deklarata jonë e Pavarsisë me 28 nëntor 1912, por edhe në momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Nga Vlora Balla i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijë ti kalojë pushimet në Vlorë
“Si një mik i Vlorës, dua ti bëj thirrje çdo shqiptari dhe çdo miku të huaj që në kushtet e pandemisë botërore nga COVID-19 të planifikojë pushimet në një vend të bukur si Vlora. Këtu ku zemra rreh më fort për patriotizmin, kush e ndjejn veten patriot të vijë të bëjë pushimet në Vlorë”, u shpreh Balla.
Duke folur për mbështetjen e operatorëve turistikë nga qeveria, Balla tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka mbështetur të gjitha nismat dhe paketa mbështetëse që ka ndërmarë qeveria.
“Ne si Grup Parlamentar i kemi mbështetur të gjitha nismat dhe paketa mbështetëse që ka ndërmarë qeveria. Dy paketat e para të qeverisë janë fokusuar tek ata që janë prekur drejtpërsëdrejti dhe që janë shtresat në nevojë, ku paga e luftës ishte e domozdoshme për çdo familje. Edhe ndaj biznesit ju e dini që është miratuar në paketën e dytë garancia për të mbështetur me kredi, ku shtet mer përsipër pagesën e interest dhe që të pakta janë vendet që e kanë ndërmarë një nisëm të tillë. Gjithçka do të meret në masën dhe kohën e duhur. Ajo që është më e rëndësishme është që jemi në kushtet që Vlora është zonë e gjelbërt dhe këto pushime nuk do të jenë siç kanë qenë çdo vit me grumbullime të mëdha. Duhet të vazhdojmë të ruajmë masat shtërnguese të distancimit social, sepse ata janë të domozdoshme”, tha Balla.


