Zbardhet e kaluara e autorit të dyshuar të vrasjes së Devi Kasmit, shtetasit grek Eftimiu Eftimius.
Mësohet se Eftimiu Eftimius, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit në Tiranë, ka shërbyer si roje në Ambasadën shqiptare në Athinë, raporton Ora News.
Ish- efektivi i forcave speciale grek mësohet se në 2009 ishte përfshirë në trafik kokaine nga Kolumbia në aeroportin e Frankfurtit.
Eftimius po ashtu ishte pjestar i një rrjeti kriminal që trafikonte kanabis nga Shqipëria në Greqi.
Rasti u zbulua në maj të vitit 2016 në Artë, vendbanimin e tij.
Në një tjetër rast, Eftimiu u akuzua bashkë me 20 persona të tjerë, shumica shqiptarë, për trafik kokaine.
Burime të Policisë së Tiranës konfirmojnë akuzat për 43-vjeçarin, të ardhura nga oficerët grekë të Antidrogës.
Operacioni i koduar “Themis” u ndoq edhe nga DEA amerikane, por Eftimiu tha në gjykatën greke se kokainën e kishte për përdorim personal.
Me tej Eftimiu mbajti lidhje me grupet kriminale shqiptare.
U akuzua për trafik droge nga aeroportet “Elefteros” “Venizelos”.
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor në Policinë e Tiranës bëjnë me dije se vrasja e Devi Kasmit dyshohet të ketë ardhur për hakmarrje.
Shtetasi grek dyshohet të ketë marrë porosi nga bosët e kokainës për Kasmin, lidhur me një vrasje të ndodhur në 2011.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se Kasmi kishte krijuar armiqësi me grupe në Spanjë dhe Francë.


