Partia Demokratike ditën e sotme ka mbajtur votimet në qarkun e Tiranës, ku anëtarësia ka votuar për kandidatët që do të vijojnë në fazën tjetër të procesit për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Burime bëjnë me dije se ka patur shumë vota kundër për emrat e njohur të Partisë Demokratike, të cilët nuk kanë marrë rezultatet që prisnin.
Në njësinë numër 1 më shumë vota kundër ishin për Enno Bozdon, por ia ka dalë të kalojë në fazën tjetër, ashtu si edhe Ivi Kaso, sekretari për çështje zgjedhore në PD, i cili ishte më i kontestuari në njësinë nr.2, raporton newsbomb.
Në njësinë numër 3 nuk ia ka dalë të kalojë në fazën tjetër Andrin Tahiri, pasi ka marrë më shumë se 20% të votave kundër.
Edhe pse me më shumë se 200 vota kundër, Orjola Pampuri dhe Ahmet Premçi kanë arritur të kalojnë në fazën tjetër, ndërsa shumë vota kontestuese ka patur edhe për Jorida Tabakun në njësinë nr.8, edhe pse ish-deputetja ia ka dalë të kualifikohet për në fazën tjetër, raporton newsbomb.
Është mbyllur votimi në Kamëz, ku kanë kaluar të gjithë kandidatët, por bien në sy 268 votat kundër për Xhelal Mziun, ish-kryebashkiakun e Kamzës.
Ndërkohë vijon procesi i numërimit në të gjitha njësitë e tjera.


