“Merreni rraseni brenda, të mos e rras unë në varr”! Me këto fjalë i drejtohej Lefter Zhidru fqinjit, në sytë e efektivëve të Elbasanit. Video që ka siguruar Report Tv është filmuar më datë 9 prill 2020, gjatë kohës kur vendi ishte në karantinë dhe ai përfshihej në sherre me komshinjtë.
Gjithçka kishte nisur pasi të rinjtë luanin domino dhe 71-vjecari i akuzonte për prishje të qetësisë publike.
Por nuk është vetëm kaq! Një tjetër banore e pallatit 5-katësh në lagjen “11 nëntor” i kishin shkruar letër drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Ardi veliu, ku ankohej për Lefter Zhidrun. Ajo e paraqiste fqinjin si person problematik, që kërcënonte me leva.
“Jam një pensioniste nga qyteti i Elbasanit. po ju drejtohem juve pasi prej 6 vitesh ndihem e rrezikuar dhe e kërcënuar nga një qiraxhi që ka ardhur të banojë në pallatin tonë. Personi në fjalë jo vetëm të ofendon, të fyer, por çka është më e rëndësishme e mban derën e shtëpisë hapur duke na kërcënuar me levë të cilën e ka përdorur ndaj banorëve të pallatit. për këto shqetësime kemi njoftuar gjithmonë policinë. Ia ka gjetur edhe policia levën në dorë dhe ndaj personit në fjalë nuk merret asnjë masë. Këto dy muaj e fundit të karantinës zotëria nuk bën gjë veçse merr policinë në telefon, e cila merr djemtë e pallatit, i mban 2 orë dhe më pas i nxjerr. Madje në prezencë të policisë na ofendon me fjalë të ndryrë dhe prap policia merr djemtë e pallatit”, thuhet ndër të tjera në letër. Madje ato kanë bërë edhe një peticion.
Ankesat e banorëve kishin rënë në vesh të shurdhët!
Një ditë pas ngjarjes që terrorizuese, një tjetër banore tregon për rrezikun që ai paraqiste në komunitet. Mesditën e 24 shtatorit 71-vjecari rrezikoi seriozisht jetën e dy të rinjve kalimtarë, të cilët mbeten të plagosur nga plumbat. Historia u mbyll me ekzekutimin e Lefter Zhidrut nga forcat RENEA, pas një rezistence prej 5 orësh.


