Alfred Balla, ish-kreu i Qeverisë së Prokurorëve, ka reaguar për skandalin seksual që u transmetua mbrëmjen e djeshme në ekran, duke thënë se përfshirja e një anëtari të institucionit në të tilla veprime, i ka krijuar një ndjenjë të fortë zhgënjimi dhe po, edhe turpi institucional.
Sot avokat, Alfred Balla tregon se Këshilli i Lartë i Prokurorisë është ngritur me shumë mund e sakrifica, pasi në fillimet e punës ishte pa zyra e administratë, ama ai si drejtues dhe anëtarët e KLP-së arritën të zgjidhnin drejtuesit e institucioneve më të larta të drejtësisë.
“Atë KLP e ngritëm me mund, sakrifica, mes bërrylave e shkarkimeve të padrejta, e në kohë rekord, pa zyra e administratë, zgjodhëm Prokurorin e Përgjithshëm, prokurorët e Spak-ut, drejtuesit e Spak-ut (+BKH), zgjodhëm drejtues të rinj anembanë vendit, kontrolluam dhe emëruam me qindra prokurorë të rinj etj, etj”, shkruan ai.
Sipas Alfred Ballës, ky nuk është një problem “privat”, sepse kur një anëtar i një organi që garanton integritetin e prokurorëve krijon marrëdhënie të papërshtatshme me një qytetare që ka hall/interes në sistem, cenohet vetë thelbi i funksionit publik.
Ai thekson se ligjet janë të qartë, integriteti dhe paanshmëria janë detyrim; konflikti i interesit duhet shmangur në çdo rast dhe sjellje që diskreditojnë funksionin çojnë deri në shkarkim. Ndaj sistemi sot është në provë.
“Sot, si ish-anëtar, (nën kryetar e kryetar) ndjej detyrimin ta them qartë se, ky është një moment prove për sistemin. Reagimi i ILD-së dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të tregojë nëse kemi ndërtuar institucione që mbajnë përgjegjësi apo thjesht struktura që mbrojnë veten”, përmbyll Alfred Balla.
Skandalet nuk e rrëzojnë një sistem drejtësie, heshtja ndaj tyre po! E them këtë jo si komentues i jashtëm, por si dikush që ka qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për 5.5 vjet.
Ajo që u publikua nga emisioni investigativ “Stop”në Tv Klan, më krijon një ndjenjë të fortë zhgënjimi dhe po, edhe turpi institucional. Kjo sepse, standardi që duhet të përfaqësojë KLP-ja është shumë më i lartë se kaq. Atë KLP e ngritëm me mund, sakrifica, mes bërrylave e shkarkimeve të padrejta, e në kohë rekord, pa zyra e administratë, zgjodhëm Prokurorin e Përgjithshëm, prokurorët e Spak-ut, drejtuesit e Spak-ut (+BKH), zgjodhëm drejtues të rinj anembanë vendit, kontrolluam dhe emëruam me qindra prokurorë të rinj etj, etj.
Ky nuk është një problem “privat”. Kur një anëtar i një organi që garanton integritetin e prokurorëve krijon marrëdhënie të papërshtatshme me një qytetare që ka hall/interes në sistem, cenohet vetë thelbi i funksionit publik.
Ligjet janë të qartë, integriteti dhe paanshmëria janë detyrim; konflikti i interesit duhet shmangur në çdo rast dhe sjellje që diskreditojnë funksionin çojnë deri në shkarkim. Këto nuk janë thjesht dispozita ligjore. Janë standarde që ne kemi pasur detyrimin t’i mishërojmë çdo ditë në punën tonë dhe detyrim për anëtarët e KLP-së.
Sot, si ish-anëtar, (nën kryetar e kryetar) ndjej detyrimin ta them qartë se, ky është një moment prove për sistemin. Reagimi i ILD-së dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të tregojë nëse kemi ndërtuar institucione që mbajnë përgjegjësi apo thjesht struktura që mbrojnë veten.


