Në një lidhje direkte në emisionin ”Opinion” mbrëmjen e sotme, ndër punonjësit shqiptarë të shëndetësisë që shërbejnë në vende të ndryshme të botës, ishte dhe infermieri Borin Sheri, i cili jeton në Kansas City, Missouri, SHBA. Ai foli në lidhje me vështirësitë që po përjeton sistemi shëndetësor në qytetin e tij, por edhe në të gjithë Amerikën, nisur që nga mungesa e masave mbrojtëse dhe vështirësia për të përballuar fluksin e pacientëve nëpër spitale.
Sheri tha se në SHBA nuk janë marra masat e duhura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, madje dhe tani që shtetet janë duke vendosur karantinën brenda territorit të tyre, ende nuk kanë marrë masat e duhura. Punonjësit e sistemit të shëndetësisë sipas tij janë shumë të zhgënjyer me mënyrën se si po përballohet lufta me Covid-19 dhe ndihen tepër të rrezikuar. Kjo për arsye sepse mungojnë masat mbrojtëse, duke qenë se SHBA është shumë e varur nga Kina për importin e tyre dhe rezervat që kanë nuk mund të përballonin të gjithë nevojat e spitaleve. Infermieri rrëfeu se në spitalin ku ai shërben, pjesa dërrmuese e stafit përdorin një maskë gjithë ditën, ndërkohë që konfirmoi se më të prekurit nga koronavirusi në personelin shëndetësor janë pikërisht infermierët.
Sheri tha se shteti ku ai banon, Missouri, vetëm sot ka bërë thirrje për njerëzit që të karantinohen, ndërkohë që janë goditur nga pandemia prej më shumë se 1 muaji dhe kjo gjë ka bërë që të jetë një ndër shtetet më numrin më të lartë të të prekurve. Në fund të lidhjes së tij ai tha se nuk e kishte menduar se do ta thoshte ndonjëherë këtë, por duke gjykuar nga masat që janë marrë dhe nga mënyra se si po përballohet kjo situatë, në këtë moment do të ndihej më i sigurtë në Shqipëri se sa në Amerikë.
Në 24 orët e fundit në SHBA janë regjistruar mbi 1800 viktima nga Covid-19, ndërkohë që në total numri i personave që kanë humbur jetën është mbi 12 mijë. Ky vend mbetet ende më i prekuri në botë nga pandemia, me mbi 390 mijë të infektuar.