Vendimi i qeverisë shqiptare për të dëbuar Ambasadorin iranian dhe një diplomat të këtij vendi ka ngjallur reagime të shumta. Mediat izraelite e lidhin këtë moment me anulimin e vizitës së Benjamin Netanjahut në Tiranë pas dyshimeve për një komplot. Ndërkaq, ish-Ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thekson se vendimi i Shqipërisë është legjitim. Ndërkohë, nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, Tritan Shehu, thekson se vendimi është i pamjaftueshëm në kuadër të aleancës mes Shqipërisë dhe SHBA.
Qeveria shqiptare ende nuk ka i ka bërë publike zyrtarisht arsyet e dëbimit nga vendi ynë të Ambasadorit të Iranit Golamhosein Mohamadnia dhe një tjetër zyrtari të lartë.
Mediat izraelite këtë moment e lidhin me vizitën që pati planifikuar Benjamin Netanjahu në Tiranë, ndërsa thuhet se vizita e tij u anulua pasi Kryeministri ishte njoftuar për një komplot të mundshëm kundër tij në tokën shqiptare.
Ish-Ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se vendimi bazohet në të drejtat ndërkombëtare.
Paskal Milo: Sa kohë ka veprime që dalin jashtë satusit diplomatik të Ambasadorit dhe punonjësve të tjerë të Ambasadës është mëse normale veprimi që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.Shpesh largimet ndodhin pa zhurmë, por kur ka veprime të rënda që cënojnë sigurinë e vendit përkatës atëherë në këtë rast ka dhe veprime publike si rasti në fjalë.
Edhe Tritan Shehu, e sheh si të duhur vendimin e Tiranës zyrtare, por ai thotë se ky akt është i izoluar dhe i pa mjaftueshëm nga qeveria, në funksion të aleancës strategjike Shqipëri-ShBA.
Tritan Shehu: Dua të them se e konsideroj një vendim të pamjaftueshëm, një vendim i cili nuk plotëson të gjitha oblgimet që kemi ne vëçanërisht në marrëdhëniet shumë të ngushta gjeostrategjike që ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Dëbimi i një Ambasadori, kishte shumë vite që nuk ndodhte në vendin tonë, ndërsa shkaktoi një seri reagimesh të nivelit të lartë në Uashington, Iran dhe Izrael.
Del qartë se vendimi i Shqipërisë ishte i unifikuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm për faktin se presidenti Trump përgëzoi dhe falenderoi Shqipërinë, por edhe reagimi i menjëhershëm i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, i cili në twitter shkruan se kryeministri Edi Rama i ka dhënë një mesazh të qartë regjimit radikal islamik iranian se organizmi i akteve terroriste ka pasoja.
Ajo çka zyrtarisht u tha ishte vetëm fakti se diplomati iranian ishte përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë e vendit tonë.
Gholamhossein Mohammadnia, Ambasadori iranian në Tiranë, është akuzuar vazhdimisht si “koka” e misioneve kundër anëtarëve të MEK-ut të strehuar në Shqipëri.
Gazeta amerikane “Washington Times” raportonte në tetor se Mohammadnia vepronte në fakt si një agjent i regjimit iranian.
Ai u caktua si Ambasador në vendin tonë në vitin 2016, në të njëjtin vit që MEK përfundoi zhvendosjen e selisë së tij nga Iraku në Tiranë.
Ndërkohë mediat shqiptare kanë ngritur shqetësimin nëse ky vendim i Tiranës zyrtare na ekspozon ndaj sulmeve të mundshme terroriste në një kohë kur në vendin tonë ndodhet një ndër kampet më të mëdha në Europë të muxhahedinëve.


