Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Berat është shoqëruar me debate të ashpra mes tij dhe një përfaqësie qytetarësh, të ardhur nga qytetit i Poliçanit, mes tyre edhe aktorja Egla Ceno.
Në një prononcim për gazetarin e Top Channel, Bledar Korreshi, aktorja Ceno ka treguar saktësisht atë çfarë ndodhi në mbledhje, duke u shprehu se ajo i kishte kërkuar kryeministrit vetëm që ai ta dëgjonte.
Ceno tregoi se Rama i kishte kërkuar të dilte jashtë nga salla, ndërsa pas daljes së saj edhe anëtarët e tjerë e kishin braktisur dëgjesën dhe ishin bashkuar me të.
“Ishim një grup përfaqësuesish nga Poliçani për të bërë një dëgjesë për Territorialen. Poliçani është një qytet që e ka shprehur shumë herë mendimin e tij. Ministri Demo u dha fjalën qytetarëve, folën vetëm 2 prej tyre. Pastaj ndërhyri kryeministri dhe tha: “Ok, ok, se nuk jemi në një mbledhje për të dëgjuar sa mirë jetohet në Poliçan”, dhe fillon një fjalim që kishte pyetje, kishte përgjigje vetë, kishte djem nga salla që ngrinin dorën për të replikuar, po asnjë nuk u lejua të flasë.
Kur ishte drejt funditi thashë: “A mund të flasim, a do na dëgjoni?”. Më tha: “Dil jashtë”. “Po mo”, i thashë, “dal edhe jashtë”, por më thanë që kemi ardhur sepse kryeministri do na dëgjojë zërin. “Dil jashtë”, të lutem, i thashë. “Jo, mos m’u drejto kështu.”
U çua shumë i irrituar dhe tha: “Ndërpritet mbledhja derisa të dali zonja jashtë.” Në ato momente, i gjithë komuniteti u bë bashkë me mua dhe dolëm të gjithë jashtë.
Nuk pati as provokime nga ana jonë. Unë vetëm i kërkova të na dëgjonte dhe të flisnim”, u shpreh Egla Ceno.


