Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar Socialist i është rikthyer diskutimeve dhe ankesave të deputetëve sapo është mbyllur kamera e ERTV që transmetoi live fjalën e Kryeministrit Rama. Problematike, sipas deputetëve që morën fjalën, është marrëdhënia e ministrave me deputetët, veçanërisht tani që diskutohet projektbuxheti i vitit 2018 dhe që sipas tyre, nuk ka pasur konsultime për prioritetet e investimeve në zonat e tyre.
Gjithashtu, ata kanë kërkuar që të ketë diferencime te drejtorët e shkollave që kanë dalë me rezultate të dobëta në testim, për shkak se një pjesë e mirë e tyre kanë mbështetur partinë socialiste.
Por, mësohet se Kryeministri Rama ka qenë i prerë për të mos bërë asnjë tolerim mbi bazë tesere partie, por të mbajë në punë ata drejtorë që kanë kaluar testimin. Rama u ka bërë apel deputetëve që të mos ndërhyjnë pranë ministrave apo drejtorëve të mëdhenj që të punësojnë marangozë për t’u bërë drejtues apo shefa të mëdhenj, shkruan “Panorama”.
Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, është shprehur se marrëveshja e mirëkuptimit mes deputetëve dhe ministrave ka nisur të zbatohet, ndërsa ministrat do të nisin takimet e tyre sektoriale me deputetët për projektbuxhetin e ri.
Mësohet se kreu i grupit ka thirrur në zyrën e tij deputetin Ndreu dhe ministrin e Financave Ahmetaj për të sqaruar çështjen e konsultimit të ministrave me grupin parlamentar.
Pjerin Ndreu:
Zoti kryetar, ju, në emër të deputetëve, keni nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me ministrat, ku vendosej një marrëdhënie dëgjimi, konsultimi, dhënie llogarie dhe vendimi në grup për çështjet që lidhen me qeverinë dhe grupin parlamentar.
Deri tani, nuk po shohim konkretisht të zbatohet sa i takon marrëdhënies ministra-deputetë. Kjo është një marrëveshje shumë e mirë, që nuk ka qenë e shkruar ndonjëherë, por nëse nuk zbatohet, s’ka sens që e kemi pranuar të gjithë bashkë. Dua të di si do të zbatohet.
Ne kërkojmë të komunikojmë me ministrat për investimet në zona dhe problematikat që lidhen me to dhe nuk na dëgjon njeri.
Një tjetër problematikë që vërej, është ajo me testimin e mësuesve ku kanë marrë pjesë dhe drejtorët e shkollave. Rezulton se testimin e kanë fituar drejtorët e LSI-së dhe PD-së dhe shumë nga tanët janë skualifikuar. Kjo duhet parë, sepse s’ka pse penalizohen njerëzit tanë.