Gjykata e Korçës ka liruar nga burgu Gerd Gjinararin, i njohur ndryshe si “Gerd Gjenerali”. 22 vite më parë Gjinarari ka vrarë një ndër personat më të rrezikshëm të Tiranës, Naim Zyberin.
Vrasja e Zyberit është kryer në Itali, që në atë kohë tronditi edhe shtetin Italian, për nga mënyra se si u realizua.
Por si kanë rrjedhur përplasjet mes grupeve kriminale të Tiranës, që sollën më pas edhe vrasjen e Naim Zyberit.
E vërteta është se termi i duhur mund të jetë ajo e një zinxhiri vrasjesh, që duket se smbaron. Nga 1991 e deri sot, AlpeNews.al ju risjell historitë e grupeve, emrat e tyre, vrasjet , klanet e bandat.
Çfarë fshihet pas gjithë kësaj “Zhurme”:
Grupet:
Vrasjet nisin me Gaz Muçën si lider i bandës së “Rr. Bardhyl” të cilët shpejt gjetën rival bandën e Naim Zyberit, ndërsa mes tyre për shumë e shumë gjëra do të nisnin edhe vrasjet.
Nuk pushojnë ekzekutimet, ndërkohë që do të nisnin të lindnin edhe grupet e tjera, me anëtarë më të rinj, por që shpejt do të ngriheshin në skenën e krimit me një sërë aktesh kriminale të pashoqe. Që aso kohe, thuhej se të fortët e Tiranës bridhnin me armë në brez, ndërsa shpejt filluan të tregojnë dhëmbët e mbisundimit. Policia as që mund të bënte më të voglin reagim ndërsa nisnin të vriteshin me “skorpions”, “tomson”, “antitank” e “snajper”, derisa në skenën e vrasjeve del edhe pistoleta me selenciator. Policia humb gjurmët sa herë i duhej, ndërsa krimi i Tiranës nuk mund të ishte më ai i rrugës; shpejt do të kthehej në i sofistikuar për të mbërritur në vitin 2003, ku bumi i vrasjeve jashtë grupeve, por i disa emrave do të arrinte edhe kulmin e vet. Policia sërish ishte “non grata” për të qenë ekzistente dhe efiçente; mbartte nga e shkuara e saj sërish faktin, larje hesapesh.
Emrat e bujshëm të grupeve:
Bandat nisen të hakmerreshin për emrat e shokëve të tyre që vriteshin nga anëtarë të bandave të tjera, ndërkohë që mes tyre shpejt do të nisnin të hynin edhe droga, trafiku i armëve si dhe paraja. Shpejt elementët e pasurimit i zunë vendin hakmarrjes së verbër, ndërkohë asgjë nuk ndalonte më ekzekutimet e tipit mafioz. Gjithçka nis me Denis Ginën, të cilit i zihet pritë në Breg të Lumit me një anti-tank duke e vrarë vet të dytin; ndërkohë që kishin rënë Gaz Muça, Artur Grori, Naim Zyberi, dhe një sërë “ushtarësh” të tyre. Kishin nisur të binin të fortët e parë, ndërkohë adoleshentë që rekrutoheshin në grupe të tjera dhe emra që më vonë s`do të mbesnin më në kuadër grupesh të njohura nëpër Tiranë, por do të merrnin përsipër një sfidë të hapur ndaj policisë, njerëzve të pasur dhe gangster të lidhur me shtetin, por që ishin jashtë “linjës” së tyre dhe thuajse në çdo javë Tirana përjetonte vrasje nga më të ndryshmet. Shumë pak prej tyre janë zbardhur, por që thuajse një pjesë e mirë e funksionimit të këtyre grupeve do të njihej.
Vrasje të bujshme:
1.- Gaz Muça, i vrarë më 7 prill të vitit 1992, tre muaj pasi ishte kthyer nga Gjermania. Në atë kohë dy grupet rivale në Tiranë ishin ato të Gaz Muçës dhe Naim Zyberit. Ky i fundit arrestohet pas vrasjes së Muçës dhe del nga burgu gjatë trazirave të ’97-ës
2.- Artur Grori, vritet me plumb në zemër para derës së shtëpisë më 2 korrik të vitit 1997. Për këtë vrasje akuzohet Naim Zyberi, i cili largohet më pas në Itali
3.- Në fund të vitit 1999, Naim Zyberi plagoset në Milano të Italisë dhe ekzekutohet në spital disa muaj pas vrasjes së Artur Grorit. Për vrasjen e Naim Zyberit, Prokuroria italiane akuzoi Arben Grorin, vëllain e Arturit, i cili ndodhet në burg në Shqipëri.
4.- Taulant Muça i vrarë më 31 korrik të vitit 1998. Për vrasjen e tij akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Besnik Keta dhe Dorian Stafa. Prokuroria dyshon se Besnik Keta e ka vrarë Taulant Muçën për t’u hakmarrë për ekzekutimin e vëllait të tij, Fatos Keta
5.- Në vitin 1999 ekzekutohen me antitank Denis Gina dhe Medjan Shehu, teksa po udhëtonin me një fuoristradë të blinduar në Fushën e Druve në Tiranë. Për këtë vrasje u akuzuan Ilir Bardhi dhe Genc Ferhati.
Pas Franc Konomit
Atentati ndaj 42 vjeçarit nga Tirana ishte e pamundur të mos kthente në vëmendjen e kujtdo histori të bujshme krimi në vend. Ka emra që mbeten sërish në përditshmëri si pjesë atyre grupeve kriminale, por që në të vërtet asnjëherë nuk janë njohur si të tillë. Madje ka edhe emra që tashmë gjenden nën hetim, gjykim dhe dënim që drejtësia jonë kurrë nuk iu faktoi të qënurit organizatë kriminale, e që në të vërtet nën zë gjithnjë është thënë për ta se janë pjesë e klaneve të fuqishme.
Vrasjet e bujshme të Tiranës, ku viktima nuk janë njerëz me precedentë penal të këtijllojshëm, kanë nxjerr në pah tjetër fakt; atë të anashkalimit të policisë dhe të prokurorisë për të gjithë komponentët real të krimit të organizuar. Kujtojmë se i dyshuari kryesor si vrasësi i Konomit, ishte Dëfrim Kasmi, që u vra mbremjen e djeshme në Tiranë.
Grupet që janë kthyer në individë
Shumë prej grupeve që nga të fortët e Tiranës u kthyen në përbindësha të grupeve rivale, tashmë duket sikur nuk ekzistojnë më; ndoshta ngaqë edhe shumë janë ekzekutuar, të tjerë janë larguar dhe ata pak që kanë mbetur për shtetin janë të izoluar. Ka nga grupet që thuajse janë zhdukur fare dhe nuk ka mbetur më asnjë nga “lavdia” e tyre, por ka të tjerë që befasojnë me eksponentë të veçantë të cilët ende nuk janë konsideruar si pjestarë të njërit apo tjetrit grup. Ka edhe shumë emra të tjerë të vrarë që kurrë nuk janë etiketuar pjesë grupesh, por që pas tyre gjendej një eskortë kriminale që thuhej aso kohe se kishin edhe mbështetje politike.
Ndoshta kjo erdhi nga ndikimi i madh në jetën shoqërore sidomos në rrethet e tyre të afërta, ndërkohë që policia edhe prokuroria e Tiranës janë nisur disa herë të ndërmarrin hapjen e dosjeve të vjetra por pa ia arritur të zhbllokojnë ngërçin e madh të mos mundësisë së pararendësve të tyre për të saktësuar autorësitë vrasjeve të shumta në kryeqytet.
Dy klanet që shuan “Djemtë e Rrugës së Kavajës”
Nuk do të kalonte shumë kohë nga krijimi i tij, deri sa djemtë e bandës së Rrugës së Kavajës do të përçaheshin. Megjithëse fillimisht vepronin së bashku më 1999, “Djemtë e Rrugës së Kavajës” do të ndaheshin në dy klane kundërshtare. Shkaku i përfolur i kësaj ndarjeje mësohet se ishte shuma prej 200 milionësh, të cilën e kishin përfituar pas pengmarrjes së një tregtari të njohur nga Tirana. Në 27 mars të vitit 1999, në rrugën “4 shkurti”, pranë ish-“Bllokut”, i pari në radhë, u ekzekutua Ervin Borova. Ky shënoi dhe vrasjen e parë mes djemve të grupit për të vijuar me të vëllain e tij, Ergysin dhe më pas me një mori të tjerësh që duket sikur do të shuheshin fise të tëra me të njëjtin mbiemër.
Nuk mund të lëmë pa permendur edhe Emiljano Shullazin që njihet si i fundit i “Djemëve të Rrugës së Kavajës”.
Zinxhiri i vrasjeve në këtë bandë do të shkonte mbi 20 të vrarë, disa të plagosur ndërkohë që policia në të gjithë historinë e ekzistencës së tyre do të vinte në pranga vetëm 4 persona, ku ka emra që spikasin edhe në të tjera krime. Gjithë moria e hakmarrjes së këtij grupi, ndër më të përgjakshmit në Tiranë do të vijonte për rreth 3 vite ndërsa do të shuheshin njeri pas tjetrit një mori emrash.
“Banda e Selitës”, rivalët e përjetshëm të Yzberishtit
Në Bandën famëkeqe të Yzberishtit e cila veproi në Tiranë thuajse 20 vjet më parë, mbizotëronin emrat e tre vëllezërve, Ilir, Nazmi dhe Fatmir Avdillari. Ndërkohë rivalët e betuar të kësaj bande ishin djemtë e Selitës me në krye Shkëlqim Xhabaftin. Familja Xhefbati ishte në hasmëri të hershme dhe me familjen Ymeri duke sjellë viktima nga të dyja palët. Në familjen Ymeri janë vrarë dy djem, ndërsa një I tretë është vrarë nga policia.
Konflikti mes dy familjeve ka nisur në vitin 1992, mes Genc Ymerit dhe Ylli Xhabaftit, për çështjen e një borxhi të pakthyer I cili solli dhe përplasjen e parë mes tyre. Pas kërcënimeve nga ana e Xhabaftit, Genc Ymeri dyshohet se nisi serinë e vrasjeve mes dy familjeve, duke vrarë Ylli Xhabaftin. Dhe pas këtij akti largohet nga shqipëria. Vëllai I viktimës, Shkëlqim Xhabafti, u betua se do të merrte hak për vrasjen e vëllait të tij Yllit, dhe katër vite më pas, më 30 gusht 1996, vrau vëllain e Genc Ymerit, Xhevahir Ymerin. Pa kaluar ende dy vjet nga vrasja e Xhevahirit, në janar të vitit 1998 vritet djali i xhaxhit të tij, Florenc Ymeri, 22 vjeç. Më 31 tetor të vitit 1999, në portën e shtëpisë së familjes Ymeri policia qëllon për vdekje vëllain e Xhevahir Ymerit, Arturin. Më pas në fillim të vitit 1998 vritet “I forti” I Selitës,Shkëlqim Xhabafti, 30 vjeç.
Policia e asaj kohe ka raportuar se vrasja lidhej pikërisht me hasmërinë e viktimës por here u përfol se plumbat nuk erdhën nga familja Ymeri por nga vëllezërit Nazmi dhe Ilir Avdillari, të njohur si të fortit e Yzberishtit. Këta i kishin grabitur makinën një biznesmeni grek dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit i cili ndërhyri si negociator por në bisedë e sipër gjakrat janë nxehur dhe ai mbeti i vrarë. Nazmi dhe Ilir Avdillari janë akuzuar gjithashtu se më 27 Janar 1998 kanë vrarë biznesmenin italianë Stefano Rossi, pronar I fabrikës “Niki Shoe”. Rossi është ekzekutuar 100 metër larg fabrikës, menjëherë sapo kishte tërhequr 30 milion lireta nga Banka Italo Shqiptare.
Pas vrasjes së Shkëlqim Xhabaftit, familja Xhabafti përveç familjes Ymeri, ka qënë në hasmëri dhe me familjen Avdillari nga Yzberishti. Ndërkohë për një nga vrasjet më të bujshme në Tiranë, atë të Ardian Tahirit policia ka raportuar se autori është një prej krerëve të ashtuquajturës “Banda e Selites”.
Djemtë e “Rrugës Bardhyl” kundër atyre të “Trenit të vjetër”
Kuksiani, Naim Zyberi do të arrestohej pikërisht për vrasjen e Gazmend Muçës bashkë me Franc Konomin që për këtë të fundit nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte atëherë por edhe si mundi të shpëtonte nga hakmarrja e bandës së rrugës “Bardhyl” dhe të zemërimit të Arben Grorit. Franc Konomi u akuzua edhe për disa akte të tjerë të rënda kriminale, ndërkohë hetimi kurrë nuk ia hoqi emrin e tij nga vrasja e 18 viteve më parë, ndërsa kurrë nuk mundi të faktonte pjesëmarrjen e tij në atë vrasje dhe aq më pak në akuzat e tjera.
Praktikisht, vrasje e pak ditëve më parë u mendoua dhe vazhdohet të mendohet se erdhi për larje hesapesh të vjetra, përderisa Konomi, bashkë me Naim Zyberin, dyshohen si një nga autorët e ekzekutimit me breshëri automatiku të Muçës më 7 prill 1992 te zona e njohur si “Xhamlliku”. Vrasja e tij e cila ndodhi në mes të Tiranës, duket se ka mbyllur një serial të vjetër hakmarrje e konfliktesh mes personazheve të konsideruar si “të fortët e viteve 90 në Tiranë”. Gazmend Muça u vra me një breshëri Kallashnikovi në 7 prill 1992 në Tiranë. Policia akuzoi për vrasjen e Gazmend Muçës, Naim Zyberin dhe Franc Konomin, miq të viktimës, të konfliktuar me Gaz Muçën për shkaqe banale.
“Djemtë e Rrugës së Durrësit”, me historinë e mjegullt
Një vendim gjykate që u dha pak kohë më parë do të sillte në kujtesën e shumëkujt ngjarjen e vitit 1999, btë 8 gushtit ku u vra Edgar Libohova.
Viktima ishte anëtar i djmeve të Rrugës së Durrësit dhe ai qyq qëlloi mbi të ishte rivali i rrugës së Kavajës. Vrasja ndodhi mëngjesin e 8 gushtit te lokal “Palma” në Rrugën e Kavajës ndërsa kishte nisur në fund të vitit 1997 kur Edgar Libohova, shënjestra e atentatit, ishte përplasur me makinë me motoçikletën e Shehut. Shehu, që tashmë ndodhet në qeli i dënuar me 8 vjet për shfrytëzim prostitucioni, për t’u hakmarrë armatoset bashkë me shokun e vet Ardian Ibrahimi, i njohur me pseudonimin “Katali” vrasin Libohovën te lokal “Palma”. Duke mos kontrolluar plumbat ata goditin 7-vjeçarin Angjelin Haxhi që vdiq më pas në spital, të atin e tij Kosta Haxhi, si dhe Xhevair Ndoin, që ndodheshin rastësisht aty. Historia e kësaj vrasjeje do të mbetet gjatë në mendje, ndërkohë shumë emra të kësaj bande asnjëherë nuk u identifikuan si të tillë. Ka prej tyre që vazhdojnë të jenë ende gjallë e madje trë akuzuar për një sërë atentatesh të bujshme.
Përgatiti: AlpeNews.al










