U bënë dekada që ish-fusha e stadiumit të vjetër në qytetin e Beratit është lënë pas dore. Nuk po ndërhyhet, ndonëse 5 vite më parë u prezantua me pompozitet të madh nga bashkia ndërtimi i një kompleksi sportiv me dy kate (konkretisht në 2016-ën, Bashkia e Beratit tha se ajo do të shfrytëzohej jo vetëm nga rinia e qytetit, por edhe ekipe të ndryshme të shumësportëshit beratas).
Gjithçka mbeti në kuadrin e premtimeve, pasi dorë nuk u vendos kurrë dhe sot që flasim, shfrytëzohet nga bizneset aty pranë për të parkuar… makina. Asokohe u aludua se pas këtij plani “fshihej” diçka tjetër. U tha që aty do të ndërtohej një parking automjetesh, që do të shfrytëzohej nga dy hotele të ndërtuara në dy krahët e ish–stadiumit të vjetër të qytetit.
Ky projekt u kontestua me forcë prej sportdashësve, specialistëve, por edhe prej këshilltarëve të djathtë të bashkisë. Ata dolën publikisht kundër dhe insistuan që projekti të mos zbatohej, pasi synonte ndryshimin e destinacionit të fushës së futbollit dhe poshtë kompleksit sportiv do të ndërtohej një parking automjetesh.
Në impiantin ku është shkruar historia mbi 60-vjeçare e Tomorit, duket se nuk po investohet qëllimisht. Edhe pse mund të kthehet fare mirë në një aneks stërvitor, kanë zgjedhur që ta bëjnë parking. Kështu ngjau edhe mbrëmjen e së martës, në brendësi të fushës u parkuan me dhjetëra automjete. Pushuesit e akomoduar në hotelin përbri ish-stadiumit të vjetër, kanë shfrytëzuar atë terren për të vendosur makinat.