Apeli i Krimeve të Rënda ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë të kësaj Gjykate, e cila bllokoi pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, si edhe i ndaloi këtij të fundit daljen jashtë vendit.
Seanca u zhvillua ditën e djeshme me dyer të mbyllura dhe zgjati më shumë se një orë. Tahiri ishte prezent në këtë seancë, i shoqëruar nga avokati i tij, Maks Haxhia.
Burimet thonë për “Panoramën” se Prokuroria e Krimeve të Rënda, u qëndroi argumenteve të mëparshme për lënien në fuqi të masës së Shkallës së Parë.
Sipas saj, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është person nën hetim pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të “trafikut ndërkombëtar të narkotikëve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe të “korrupsionit”.
Ndërkaq, mbrojtja insistoi në seancën e djeshme se masa e sigurimit personal për bllokimin e pasaportës, nuk është e bazuar. Sipas tyre, Prokuroria ka të njëjtat prova si më parë dhe se nuk ka asnjë provë shtesë, e cila rëndon pozitat e personit nën hetim.
Gjithashtu, sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk sqaron se si kjo masë e ndihmon hetimit dhe çfarë kërkon të parandalojë. Për mbrojtjen, ish-ministri Tahiri është personi më i interesuar që t’i shkojë deri në fund këtij procesi dhe nuk ka pasur dhe as nuk ka ndërmend që të arratiset apo të fshehë ndonjë element të veprës penale jashtë vendit.
Në përfundim të seancës gjyqësore, ish-ministri Tahiri nuk pranoi që të fliste për mediat. Ai vetëm uroi festat e fundvitit, duke thënë se për çështjen do të fliste avokati i tij, Maks Haxhia. Ky i fundit tha për gazetarët se Apeli i Krimeve të Rënda shfuqizoi dy vendime në seancën e djeshme.
Sipas tij, u shfuqizua vendimi për bllokimin e pasaportës ndaj Tahirit, si edhe ai i ndalimit të daljes jashtë vendit. Gjykata vendosi shfuqizimin e dy vendimeve, njëri për ndalimin e daljes së Tahirit jashtë vendit dhe tjetri për bllokimin e pasaportës. Vendimin e arsyetuar nuk e kemi parë, por Prokuroria nuk kishte ndryshuar qëndrim. Ne paraqitëm argumente të reja në këtë seancë”, deklaroi Maks Haxhia.
Burimet thonë se një prej arsyeve të zhbllokimit të pasaportës së ish-ministrit, është edhe fakti se për të nuk ka procedim penal nga Prokuroria e Katanias. Tashmë, ish-ministri është nën hetim vetëm në Shqipëri. Saimir Tahiri është vënë nën shënjestrën e drejtë- sisë që kur u publikua dosja e Katanias për grupin që trafikonte drogë të Moisi Habilajt.
Ish-ministri u ka shitur automjetin kushërinjve të tij të largët, por ka udhëtuar me të disa herë, edhe kur kryhej aktiviteti i trafikut të drogës. Prokuroria dyshon se Tahiri ka favorizuar Habilajt duke u dhënë imunitet.
Gjithashtu, ish-ministri përmendet edhe në përgjimet e dosjes italiane, ku pjesëtarë të grupit flasin për të dhe për disa bizhuteri të shtrenjta që i kishin bërë dhuratë. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka bashkuar çështjen e tij me atë të Habilajve dhe biznesmenit Orest Sota dhe dyshon se paratë e gjetura në mjetin e këtij të fundit, lidhen me aktivitete kriminale të Tahirit.


