Pak orë para protestës së thirrur ditën e sotme nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është vendosur banderola gjigante me sloganin e këtij tubimi “Shqipëria në rrezik”.
Ajo është vënë në anë të kryeministrisë në mes të bulevardit. Kalimi për automjetet është i bllokuar përgjatë bulevardit si pjesë e masave të ndërmarra nga policia për shmangien e incidenteve të mundshme.
Protesta e thirrur për shkak të rritjes së çmimeve në vendin tonë pritet të nisë në orën 17:00. Përveç deputetëve mbështetës të Berishës në protestë pritet të marrin pjesë edhe deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama është larguar nga Tirana duke u zhvendosur në Vlorë. Ditën e djeshme ai dha urdhër edhe për heqjen e këpurdhës së famshme në anë të godinës së qeverisë e cila është bërë shënjestër e sulmeve të protestuesve në protestat e shkuara.


