Kryeministri Edi Rama tha sot në sallën e boshatisur të Kuvendit se ka një zhvillim të ri që po ndodh sot dhe liderët e opozitës e dinë shumë mirë e për këtë arsye kanë dalë në protestë.
Ai nuk dha të tjera detaje se për çfarë bëhet fjalë, por tha se shumë shpejt do e shohin të gjithë shqiptarët.
“Çfarë i shtyn ata të dalin atje? Çfarë e shtyn lala gjonin dhe maçokun me çizme që të thonë se do presim sa të dalë raporti i KE? i shtyn diçka që po ndodh sot, që ata e dinë shumë mirë dhe shumë shpejt do e shohin të gjithë shqiptarët”, tha Rama.
“Kush më thotë e harrove drejtësinë për 21 Janarin e Gërdecin i them: Më merr të keqen”
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në Kuvend edhe për reformën në Drejtësi, të cilën e mbrojti sërish duke thënë se për miratimin e saj u rrezikua edhe rrëzimi i qeverisë.
Deklarata e tij vjen në ditën kur një Judical Watch publikoi një material nga DASH të cilat tregojnë se administrata e Obamës ka ndihmuar me fonde aktivistët politikë të George Soros në Shqipëri për Reformën në Drejtësi.
“Është drejtësia që duhet të bëjë drejtësi. Nuk ka qeveria asnjë të drejtë kushtetuese që të bëjë drejtësi. Kujt më thotë që ju e harruat atë që thatë që do shkojnë përpara drejtësisë që bënë 21 Janarin e Gërdecin i them: më merr te keqen, sepse jo vetëm që nuk e kemi harruar por kemi ndërmarrë reformën më të fortë që do vendosë në shina një sistem drejtësie që do marrë përpara ata që i ngulin çdo ditë thikë pas shpine këtij vendi”, tha Rama.
Sipas tij “nëse ka diçka që është e kuptueshme është padurimi i çdo shqiptari që nuk jeton si unë dhe si ju që nuk e kemi problemin se çfarë do hanë fëmijët tanë nesër dhe që kërkon drejtësi. Sistemi që kemi zgjedhur e përjashton mundësinë e drejtësisë së vendosur nga padurimi dhe është mundësia për të bërë drejtësi duke ngritur një sistem drejtësie të pastër. Atyre që më thonë se Vettingu është loja se këta ikin vetë, i them: e keni gabim. Të gjithë do japin llogari”.


