Pasi kanë kaluar 40 orë në karantinim kryeqytetasit kanë vërshuar këtë të hënë në të gjitha rrugët dhe tregjet.
Duke mos respektuar një distancë dhe madje herë duke qarkulluar në grupe, qytetarët duket se nuk kanë marrë parasysh asnjë këshille që u është dhënë për situatën.
Nga ana tjetër patrullat e policisë kanë vijuar verifikimin e automjeteve që qarkullonin pa një autorizim të veçantë ku nuk kanë munguar as ndëshkimet.
Ndërkohë që në drejtorinë e përgjithshme e policisë kanë vijuar edhe këtë të hënë radhët për tu pajisur me leje për autorizim për te qarkulluar ku ne total ka shkuar 135 mijë.
Ndërkohë policia ka sqaruar edhe një here për qytetarët se lejohen të qarkullojnë me automjete për të shkuar në punë duke plotësuar formularin e VETËDEKLARIMIT të gjithë punonjësit e administratës dhe biznesit në oraret 05:00 deri në orën 08:00 dhe për kthim nga ora 12:00 deri në orën 13:00, ndërsa përjashtohen nga ky kufizim të gjitha automjetet e transportit të mallrave, produkteve ushqimore, fruta-perimeve dhe atyre blegtorale, me qëllim furnizimin e marketeve dhe minimarketeve dhe dyqaneve ushqimore.
Pas orës 13:00 nuk lejohet të lëvizë asnjë qytetar, përjashtuar kthimin për në banesë të punonjësve të linjave prodhuese, të Shëndetësisë, Ushtrisë, Policisë së Burgjeve, SHPSF, të atyre personave që janë të përfshirë në listat e shërbimeve të bashkive dhe shërbimeve në banesë.
Në sqarimin e policisë thuhet se pas orës 13:00 nuk lejohet të jenë hapur asnjë market, minimarket, apo farmaci.
Ndërsa përjashtohen nga ky kufizim vetëm linjat e prodhimit të bukës, ushqimoreve, prodhimit të mishit dhe atyre blegtorale vetëm për të prodhuar, por jo për të tregtuar.