Një seri zjarresh të dyshuara si të qëllimshme kanë shkaktuar dëme gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës, ku janë djegur 10 kazanë mbetjesh dhe janë dëmtuar nga flakët 3 automjete të parkuara.
Bëhet i ditur se, zjarri i parë është regjistruar në rrugën “Enver Velja”, pranë shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, ku në flakë u përfshinë 8 kazanë mbetjesh. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit, flakët kanë përfshirë edhe tre automjete të parkuara përgjatë së njëjtës rrugë.
Pak më vonë, edhe 2 kazanë të tjerë mbetjesh janë djegur në dy pika të ndryshme të rrugës “Mujo Ulqinaku”, duke e çuar në 10 numrin total të kazanëve të shkrumbuar.Forcat zjarrfikëse ndërhynë dhe arritën të vinin flakët nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme dhe se të gjitha rastet janë kryer nga i njëjti autor.
Sipas dyshimeve të para, autori ka lëvizur nga rruga “Enver Velja”, ku dyshohet se i ka vënë zjarrin 8 kazanëve, drejt rrugës “Mujo Ulqinaku”, (rrugë të cilat kryqëzohen me njëra-tjetrën), ku më pas janë djegur edhe dy kazanë të tjerë.
Policia po heton për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


