Dy gjyqtarë të Durrësit kanë hequr dorë nga gjykimi i çështjes Beleri, e kthyer që nga muaji maj në një çështje me interes të lartë publik dhe diplomatik në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Greqisë. Prej 22 shtatorit, kërkesa e Belerit për leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës i kaloi gjykatës së Durrësit për moskompetencë nga Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar.
Në pritje të gjykimit Fredi Beleri mbahet në Durrës, ndaj pas pranimit të kompetencës për shqyrtimin e çështjes, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit, po njëri pas tjetrit gjyqtarët Rexhep Bekteshi dhe Besjana Garxenaj, hoqën dorë nga shqyrtimi duke i kërkuar kryetarit të Gjykatës së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës zëvendësimin me një gjyqtar tjetër.
Në të dyja rastet, gjyqtarët kanë vlerësuar me ndërgjegje se kanë shkaqe të arsyeshme për të mos shqyrtuar këtë çështje që konsiderohet tejet delikate për sistemin tonë gjyqësor.


