Drejtori i policisë Haki Çako ka realizuar një takim me përfaqësuesit e FB në Tiranë. Përfaqësuesit e FBI do të asistojnë policinë në luftën kundër krimit. Në këtë takim u vlerësua roli i policisë me FBI. Kjo e fundit ka vlerësuar luftën kundër kultivimit dhetrafikimit të kanabisit.
Policia njofton se “Gjatë takimit me dy përfaqësuesit e FBI-së, Atasheun e FBI/LEGAT Jack Liao dhe Mark Newhouse, Agjent Special i FBI-së, i specializuar për hetimin e krimit të organizuar, u vlerësua me nota shumë pozitive bashkëpunimi mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit në luftën kundër terrorizmit, si dhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit e bërë nga Policia e Shtetit këtë vit, duke e cilësuar si histori suksesi”.
Drejtori i Përgjithshëm Çako falënderoi zyrtarët e FBI-së dhe u shpreh se eksperienca e tyre do të shërbejë për orientim drejt rrugëve më të mira për të goditur dhe vënë përpara përgjegjësisë grupet e strukturuara kriminale.
Pas kësaj zyrtarët e FBI-së janë takuar me Drejtorin e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, Idajet Faskaj.
Takimet e këtij delegacioni do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar. /AlpeNews.al/



