Për periudhën janar-mars, totali i të ardhurave që kanë hyrë në buxhet është 105,3 miliardë lekë. duke u rritur 3,8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017-s, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave. Kjo periudhë fiskale është mbyllur me suficit buxhetor në vlerën e 5,2 miliardë lekëve, ku totali i shpenzimeve është realizuar në vlerën e 100 miliardë lekëve.
Ndikimin kryesor në këtë rritje kanë vijuar ta japin të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat jotatimore dhe të ardhurat nga fondet speciale. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për 3- mujorin e vitit 2018 u realizuan në vlerën e 72 miliardë lekëve. Të ardhurat nga TVSH-ja, një nga treguesit kryesorë të qarkullimit në ekonomi, u realizuan në vlerën e 33,6 miliardë lekë.
Në total, për 2018 Ministria e Financave parashikon të arkë- tojë 151,6 miliardë lekë, ku në krahasim me planin vjetor për 3-mujorin e parë, u arkëtuan 22 për qind e të ardhurave nga kjo taksë. Për sa u përket shpenzimeve kapitale apo siç njihen ndryshe shpenzimet për investime, në 3 muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerën e 10,3 miliardë lekë. Në total për të gjithë vitin buxheti parashikon të shpenzojë 86,3 miliardë lekë për investime, ku deri tani janë shpenzuar vetëm 12 për qind e fondit.


