Në një kohë kur vijon debati publik lidhur me vendimin e qeverisë që biznesi i vogël të paguajë TVSH, vjen reagimi i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, pohoi i prerë se nuk do të ketë rritje taksash për 97 përqind të popullsisë. Mes të tjerash ai pohoi se të gjithë ato biznese që nuk do të kenë të ardhura mbi 20 milionë lekë të vjetra, janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Rama njoftoi lehtësira edhe për ato hotele që do të ndërtohen në vitet e ardhshme, me një standard 4-5 yje, ndërsa pohoi se ato të përjashtohen nga taksa tatim-fitim për 10 vite. Në vazhdën e këtyre ndryshimeve, kreu i qeverisë tha se rritje të çmimit do të pësojë edhe duhani.
“Nuk ka rritje taksash për 97 përqindjen e popullsisë në një kohën kur tam-tami flet për rritje taksash. Nuk ka rritje as për kompanitë. Përjashtim nga taksat i hoteleve që do të ndërtohen nga 4-5 yje, nuk do të kenë taksë tatim-fitimi për 10 vite që nnga dita e funksionimit të tyre. Nuk do kenë taksë infrastrukturë, por do paguajë taksën e TVSH. Duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me TVSH më të ulët. Do ketë një ulje të TVSH në sektorin e informacionit. Dhe përjashtim nga TVSH i 52 pajisjeve të peshkimit. Një kërkesë e kahershme e industrisë së peshkimit. Ky sektor ka njohur një progres. Do të ndryshojë akciza e cigares. Beteja jonë kundër duhanit do të vazhdojë. Ndryshimi do të jetë ndryshim. Sidoqoftë ai do të shkojë me trendin rritës të parashikuar”, tha Rama.