Ka qenë një ngjarje shumë e rëndë ajo që ndodhi ditën e sotme në Elbasan, ku 71 vjeçari Lefter Zhidru u ngujua i armatosur në banesën e tij, ndërsa hapi edhe zjarr disa herë ndaj policisë, ku për pasojë u plagosën dy kalimtarë të rastit.
Pas rreth 5 orëve negociatash të pasuksesshme, forcat RENEA vendosën që të futeshin në shtëpinë e tij, por sërish 71 vjeçari hapi zjarr ndaj tyre, duke e bërë edhe më të vështirë situatën.
Duhej ndërhyrja e snajperve që të neutralizohej i moshuari, pasi 1 plumb në kokë i mori jetën dhe shmangu një tragjedi që mund të ishte shumë e madhe, pasi 71 vjeçari e kishte kthyer shtëpinë në një “minë me sahat”.
Ai kishte lidhur 5 kallëpe tritoli me bombolat e gazit, ku shpërthimi i tyre mund të kishte sjellë edhe shkatërrimin e pallatit, pasi ishin më shumë se 1 kilogram lëndë plasëse, ndërsa herë pas here qëllonte me kallash drejt policisë.
Në momentin që policia ka hyrë brenda, ka gjetur 71 vjeçarin e pajetë me një plumb në kokë, ndërsa afër tij qëndronte kallashi me 2 karikatorë të ngjitur me të, ndërsa aty pranë ndodhej edhe granata e RENEA-s me karakter ndriçues dhe shpërqëndrues.
Mbi sobë qëndronin 3 kallëpe tritoli, të lidhura me bombolën e gazit, ndërsa te dera Zhidru kishte vendosur një lavatriçe për t’i shpëtuar plumbave të policisë.
E vetmja mënyrë për të neutralizuar Lefter Zhidrun ishte ekzekutimi i tij, ndaj edhe RENEA e qëlloi me snajper, për të shmangur ndonjë tragjedi më të madhe nëse tritoli do të shpërthente.







