Ilir Meta këtë javë ka shënuar një rekord të zi në keqpërdorimin e institucionit të Presidentit të Republikes së Shqiperise, për interesat e halleve të tij personale.
Aq poshtë e ka ulur nivelin këtë radhë, sa askush nuk kishte guxuar ta bënte kete më parë në historinë 107 vjeçare të këtij shteti.
Me një fjalor banal të denjë për mejhantet meditatike të kategorise së fundit, ai tentoi që të shantazhonte kreun e KED dhe ambasadorin e BE në Tiranë, vetëm e vetëm se ai nuk ia doli që të çonte në Gjykatën Kushtetutese, bashkëjetuesen e Enkelejd Alibeajt.
Por pikërisht atëherë ku nderkombetarët mbështetën qendrimet e Dvoranit dhe mazhorancës në lidhje me procesin e caktimit të anëtareve të rinj të gjykatës kushtetuese atëherë Ilir Meta nxorri në dritë të diellit anën e tij më të errët.
Thashethemet banale të llumit mediatik të Tiranës, i shiti si të vërtetat që do trondisnin nga themelet të madh e të vogël për të na treguar sesa engjëll ishte presidenti ynë.
Nisi me Ardian Dvoranin, kreun e KED të cilin e cilësoi si mafioz që duhet ndalur sa më parë.
“Për veprën penale të përvetësimit të titulli apo detyrës dënohet me gjobë ose deri në dy vite burg. Kryerja e veprimeve apo mos veprimeve që ushtron funksionale publike dhe kanë dëmtuar interesat e shtetit dënohet me burgim deri në 7 vite. Kemi parasysh shpërdorimi i detyrës, kryerja apo mos kryerja me dashje e veprimeve apo veprimeve në kundërshtim me kushtetutën është e rëndë. Në këto kushte i njohur me këto fakte. Dorëzimin do ta bëjmë ditën e hënë për të shqyrtuar për prova të tjera apo persona të tjerë që mund ta meritojnë të merren në përgjegjësi penale.”
Në 16 nëntor, nëpërmjet zedhenesit të tij, Meta paralajmëroi një video që do të trondiste sipas tyre, themelet e vendit.
“Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.
Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.”
Po një ditë më vonë, Presidenti reagoi ashpër nepermjet një statusi ku ndër të tjera shkruajti: “Provat po shtohen. Garantët e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet!”
Shpejt, kjo video nisi të “shitej” në mediat pranë Presidencës si një skandal seksual ku përfshihej një ambasador dhe një zyrtare e rilindjes.
Sapo mediat nisën të shkruajnë atë që Presidenti donte, ai vetë së bashku me zëdhënësin ndaluan çdo reagim mbi videon duke lënë aludimet të merrnin dhenë dhe lajmet të “flisnin vetë” ashtu siç edhe ndodhi.
Dy ditë më parë, gazeta “Koha Jonë” që merr gjithnjë burime të dorës së parë nga Presidenca nisi “lojën” duke postuar një foto të zv.ministres Romina Kuko me ambasadorin e BE, Sorecën me një shkrim që në vetvete nuk thoshte asgjë e megjithatë aq mjaftoi.
Për ta ndaluar njëherë e mirë provokimin e rëndë, vetë Kuko reagoi mbremjen e djeshme përmes një statusi në “Twitter”.
“Jam e befasuar nga disa media që përgojojnë me një lehtësi të neveritshme emrin tim për hesap të luftës qorre me ambasadorët!Aludimet mbi foto takimesh publike ku kam pasur nderin të përfaqësoj qeverinë në krah të Ambasadorit Soreca janë një paturpësi pa limit që të le pa fjalë!”
Fill pas kësaj, Presidenti Meta mori edhe “shuplakën” e radhës nga BE që me anë të një reagimi i quajti deklaratat e tij të papranueshme dhe vlerësoi edhe një herë tjetër figurëne ambasadorit të BE, Soreca.
“Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qendrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme. Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së.
Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë.”
Siç e keni kuptuar, sot nuk kemi asnjë video as për Dvoranin e për ambasadorët jo e jo. Nuk kemi asnjë fakt real përveç termave si “lecka”, “palaço ndërkombëtare” e të “korruptuar” drejtuar ambasadorëve.
Presidenti as nuk jep shpjegime por fut koken “si struci ne rërë” duke vijuar lojën banale për të na treguar se sa i “hapet barku” nga dita në ditë për Kushtetutën dhe ligjshmërine në këtë vend.
/ALPEnews.al


