Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të qarkut të Shkodrës, ndërsa gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit forcat operacionale kanë vijuar ndërhyrjet në terren.
Prioritet i ekipeve të angazhuara mbetet mbrojtja e banesave dhe frenimi i përhapjes së flakëve.
Në Bardhaj-Myselim, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave për të ndërhyrë në rast të riaktivizimit të vatrave.
Në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës, zjarri vijon aktiv, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Forcat në terren po punojnë për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.
Situata mbetet problematike edhe në Malin e Tërbunit në Pukë. Era po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa vija e flakëve shtrihet në më shumë se 10 kilometra në kurorë pyjore. Deri tani nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona vijon të monitorohet. Ndërkohë, në Iballë-Fierzë zjarri mbetet aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndërhyrjen nga toka.
Në operacion janë angazhuar forcat e MZSH-së, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile.
Prefektura e Qarkut Shkodër vijon koordinimin me strukturat vendore, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera të emergjencave.
Autoritetet bëjnë me dije se situata mbetet dinamike dhe po monitorohet në vazhdimësi, ndërsa prioriteti kryesor vijon të jetë mbrojtja e qytetarëve dhe banesave


