Koordinatorja nacionale për zgjedhjet në Kosovë, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar se deri në mesditë janë raportuar tetë incidente gjatë procesit zgjedhor, por asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar me elemente të veprës penale.
Në një prononcim për mediat, ajo konfirmoi se nuk është arrestuar asnjë person për keqpërdorim të votës në kuadër të zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në Kosovë.
Sipas Pulës, Zyra e Prokurorit të Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat e vendit, me qëllim mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
Ajo theksoi se falë këtij bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të prokurorëve në procesin zgjedhor, manipulimi me vota është reduktuar ndjeshëm.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë me staf mbështetës në të gjitha komunat, për të vepruar në mënyrë efikase dhe proaktive ndaj çdo përpjekjeje për shkelje të ligjit lidhur me të drejtën e votës,” shtoi ajo
Pula përfundoi duke theksuar se deri më tani nuk është ndaluar asnjë person për ndonjë vepër penale që lidhet me procesin e votimit.


