Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, e ftuar në “Rudina” për të ndarë rrugëtimin mes politikës dhe familjes, është ndalur edhe te marrëdhënia me Sali Berishën. Ajo konfirmon se është një pjesë të mirë të kohës pranë tij dhe ndan edhe disa detaje të panjohura për të.
Rudina Magjistari: Je shumë pranë zotit Berisha, gjithë kohës.
Floriana Garo: Jam, është e vërtetë. Të qenit pranë tij është një shkollë më vete, një universitet më vete, kam mësuar shumë.
Rudina Magjistari: Mund të na tregosh diçka për të, diçka që s’e njohim ose diçka që ndoshta do të na surprizonte nëse do ta mësonim?
Floriana Garo: Mendoj që ai është një njeri në dukje shumë i ashpër, po krejt ndryshe në marrëdhënie personale.
Është brilant patjetër dhe në analizën politike, në vendimmarrje, në vizionin e tij por edhe në marrëdhënie njerëzore është një njeri me të cilin mund të mirëkuptohesh dhe është një njeri i hapur ndaj ndryshimeve, propozimeve dhe ndaj gjithçkaje të re.
Pra ai ecën me hapin e kohës dhe kjo është shumë interesante sepse dikush nuk mund ta mendojë që një 70-80 vjeçar mund të mendojë dhe të ecë njësoj si një i ri, por ai bashkë me eksperiencën e vet, ka dhe këtë mendjehapësi që e tregon sidomos me njerëzit që arrijnë të jenë afër tij.


