Një snajper i gjetur në depon e armatimit që u zbulua në fshatin Babicë të Vlorës, dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e Gëzim Sinomatit më 7 janar. Sinomati u qëlluam me një plumb më kokë, ndërsa policia nuk ka arritur që të gjejë armën e krimit. Ekspertët dyshojnë se ky snajper i zbuluar në bazën e armatimeve është përdorur për vrasjen e tij, ndërsa në mjetin e djegur që u gjet pas ekzekutimit asokohe u gjet edhe një bllok që dyshohej se ishte vendosur për të mbajtur snajperin.Report Tv mëson se Luano (Albano) Deraj, i arrestuar gjatë aksionit të djeshëm, ka refuzuar që të flasë para efektivëve të Policisë së Vlorës, duke mos treguar detaje për origjinën e armëve dhe me çfarë grupesh kriminale ka lidhje. Por burime për Report Tv bëjnë me dije se Deraj bashkëvepronte me disa grupe kriminale në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera.
Baza e armatimeve dyshohet se është përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale, ndërsa të gjitha armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale, përfshirë këtu edhe në vrasjen e Sinomatit.
Report Tv sjell edhe pamjet nga banesa e kthyer në një depo armatimi, e cila u zbulua paraditen e 7 marsit. Siç shihet edhe në pamje, banesa dykatëshe survejohet nga kamera sigurie. Në banesë përveç 35-vjeçarit, jetonin njerka dhe babai, si edhe gjyshërit.
Jashtë kamerave familjarët shprehen se u tronditën kur panë aq shumë polici në banesë. Ata thonë se djali u arrestua në ambientet e punës dhe më pas u dërgua në banesë me pranga, ku u ushtrua edhe kontrolli i imtësishëm. 35-vjeçari është pronar i një servisi makinash.
Në banesë u gjetën disa lloje armatimesh, snajper, pistoleta, qindra fishekë, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme.


