Është shoqëruar me batuta momenti i rivotimit të rezolutës së kërkuar nga deputetët e Komisionit të Rithemelimit në Kuvend.
Në momentin e ngritjes së kartonëve, kreu i grupit parlamentar iu drejtua Berishës duke thënë se ai ka vjedhur kartën e Lulzim Bashës.
Ky moment u pasua me të qeshura, ndërkohë që pranë Ballës u afruan Berisha dhe deputeti Flamur Noka duke mbajtur lart kartonët jeshilë që ishin në minorancë, vetëm 17 përballë më shumë se 40 votave kundër nga ana e socialistëve.
REPLIKAT
Sali Berisha: E përdorët votën për diktat. Nuk ju lejon Edi Rama.
Lindita Nikolla: Kush është pro që rezoluta të futet në axhendën e punimeve të Kuvendit. Numërojmë votat.
Taulant Balla: Ka vjedhur kartën e Lulit
Gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit Berisha u shpreh se qytetarët po mashtrohen duke iu servirur fatura false nga Italia.
“Dy janë shkeljet më të rënda të parlamentit sot që refuzon debatin për krizën e rëndë që ka pllakosur qytetarët. Dëshmi e një arrogance të qeveritarëve. Dëshmi e shpirtkazmërisë.
Dëshmi e gënjeshtrave dhe trillimeve ndaj qytetarëve që janë në protestë. U serviren fatura nga Itali. Kërkoj rezolutën sepse ju po shkelni embargon. Po shkarkohen anije ruse.
Të respektoni protestën e qytetarëve. Për ju nuk ka krizë. Nuk ka kufizime. Ka vetëm dëshira. Ju nuk e latë të futët në 9 vite. E përdorët votën për diktat. Nuk ju lejon Edi Rama”, deklaroi Berisha.


