Kandidati për postin e kreut të FSHF-së, Bashkim Fino, është shprehur se në rast se fiton zgjedhjet do të heqë dorë nga mandati i deputetit.
Në një intervistë për “Report TV”, Fino theksoi se ka të gjithë të drejtën legjitime për të kandidatuar për këtë post duke marrë dhe shembuj konkretë se si politikanë në shtete të ndryshme janë presidentë Federatash Futbolli.
“Kam të drejtë legjitime për të kandiduar. Unë duhet të jem asnjanës në çështjet politike dhe fetare në këto momente. Kjo nënshkruhet tek Federata Shqiptare e Futbollit që lidhet edhe me UEFËN. Shumë prej analistëve thonë se përse duhet të kandidojë Fino në këtë drejtim. Por nëse shikon historikun e Federatave në Europë, më shumë se gjysma e tyre në Europë vijnë nga politika. Këtu jemi duke folur për presidentët aktualë. Shtetet janë pafund si: Gjermania, Rusia, Franca, Hungari, Rumania.
Marrim edhe vendin e fundit. Në Itali kemi një senatorë të Forca Italia, që është kandidati kryesor për të fituar në Federatën e Futbollit në Itali. Pra nuk ka asnjë pengësë për pjesën e politikës në lidhjen me kreun e FSHF. Të gjithë thonë se përsë të mos jëtë dikush nga fusha e sportit në kreun e FSHF-së, por Duka faktikisht vjen nga fusha e biznesit.
Të gjithë mund të kandidojnë për këtë kryesim. Nuk kam asnjë problem me prejardhjen e Dukës në këtë post dhe nuk kam asnjë vërejtje për të nga ky drejtim. Unë e quaj këtë garë të fortë dhe nuk jam nga ata persona që gjithçka bardhë e zi. Vetëm se platforma ime ndryshon jashtëzakonisht shumë nga ajo e Dukës.
Nëse do të zgjidhem në kreun e FSHF-së, do të heq dorë nga çdo post, megjithëse nuk më detyron asgjë”, është shprehur Fino.


