Bashkia e Kukësit, pritet që pas shtatorit të aplikojë gjoba për të gjithë qytetarët të cilët pas rikonstruksionit të banesave të tyre përziejnë mbetjet inerte me ato urbane pranë kazanave të mbeturinave. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Shërbimeve Publike Xhevdet Sopi. Sipas Sopit, e njëjta masë administrative do të aplikohet edhe për bizneset që nuk i depozitojnë mbetjet e produkteve që tregtojnë në vendet e caktuara.
“Kemi vendosur deri në fund të muajit të pastrohet i gjithë qyteti. U bëj thirrje qytetarëve që të na ndihmojnë në punën tonë. Pas 1 shtatorit do vendosim gjoba për subjektet që do ndotin ambientin”, tha Xhevdet Sopi, drejtor i Shërbimeve në Bashki.
Prej disa ditësh Bashkia Kukës, ka nisur në çdo lagje të qytetit një aksion për pastrimin e mbetjeve urbane, inerteve dhe ferrave. Këto aksione, përveç pastrimit të qytetit, kanë si qëllim edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, që të mbajnë pastër ambientet e përbashkëta.