Platforma e Bashkëqeverisjes nga dita e sotme do të ketë një strukturë të veçantë që do të kujdeset vetëm për problemet e biznesit.
Në takimin e përjavshëm të bashkëqeverisjes u prezantuan ditën e sotme koordinatorët e rinj që do të fokusohen vetëm tek ankesat e shqetësimet e bizneseve, të cilat janë trajtuar me mjaft prioritet edhe më parë, por tashmë në dispozicion të tyre do të jetë një skuadër e veçantë punonjësish që do t’i ndjekin problemet rast pas rasti.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, i cili prezantoi këtë rrjet koordinatorësh u shpreh se nevoja lindi pikërisht për shkak të implikimit në problemet e ngritura nga bizneset të shumë institucioneve, çka kërkon edhe më shumë përkushtim për zgjidhjen e këtyre problematikave.
“Gjatë këtyre muajve kemi konstatuar një numër problemesh të cilat jemi munduar t’i adresojmë, por sot do ndalem në një element në raport me bizneset, ballafaqimet mes titullarëve të institucioneve, institucioneve dhe biznesit. Ballafaqime të tilla na kanë lejuar të kuptojmë më mirë natyrën e biznesit. Sot një biznes që ankohet na lejon të kuptojnë nëse problemi është çështje ligjore, korrupsioni, etj. Me jetëzimin e këtij rrjeti koordinatorësh ne do kemi një panoramë të problematikave çka na lejon të analizojmë dhe të adresojmë me kujdes, vëmendje dhe profesionalizëm natyrën e problemit,” u shpreh ministri Shalsi.
Ai nënvizoi se në funksion të biznesit është arritur jo pak drejt eliminimit të burokracive, por dhe të korrupsionit, me shërbimet elektronike të cilat deri dje ishin pothuajse inekzistente dhe subjektet endeshin radhëve të gjata për çdo lloj dokumenti apo lejeje.
Mjafton t’ju them se jo më larg se në 2014 kishim 6 shërbime elektronike në funksion të biznesit. Sot kemi 334 shërbime elektronike për biznesin, nga të cilat 25 janë vetëm shërbime online. Pra biznesi nuk ka nevojë të shkojë në sportele. Sot numërohen 37 mijë biznese të regjistruar në e-Albania dhe të përdorshëm në këtë aplikacion. Janë një mori shërbimesh në funksion të biznesit. Deri disa vite më parë lejet e ndërtimit i bënin bizneset, që sorollateshin në një numër institucionesh. Sot kemi një platformë të mirëndërtuar e të qendërzuar. Do të ishte e madhe masa e shërbimeve që unë do numëroja në funksion të biznesit. Kemi bërë shumë dhe jemi krenarë për ato që kemi bërë,” u shpreh ai.
Duke iu drejtuar koordinatorëve më të rinj të biznesit në platformën e bashkëqeverisjes, Shalsi tha se do ishte e papranueshme edhe neglizhenca më e vogël, pasi pas çdo shqetësimi në dukje i vogël mund të fshihet një problem më i madh.
“Pas çdo ankese të biznesit, ose letër sugjerimi, kërkese, vërejtje etj., mund të fshihet një problem i madh, ndaj mos neglizhoni asnjë problem. Do të ishte e papranueshme të neglizhohet letra, se aty mund të fshihet një problem që ka lidhje me strukturën, korrupsionin, apo procedurat, analiza e të cilit na lejon të kuptojmë edhe problematikën e bizneseve të tjera,” deklaroi në mbyllje të fjalës së tij ministri Eduard Shalsi.