Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Në fokus të takimit mes dy zyrtarëve ishte situata në tre komunat me shumicë shqiptare të Luginës dhe shtimi i përpjekjeve të bashkëpunimit për prosperitetin, mirë-integrimi i shqiptarëve në institucionet e qeverisjes qendrore dhe respektimi i të drejtave të tyre themelore, bazuar në standardet ndërkombëtare.
Gjatë bisedës kryeparlamentari Ruci, vuri në dukje se përmbushja e kërkesave të shqiptarëve të Luginës mbetet një përparësi e posaçme e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë. Bashkëbiseduesit vlerësuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit, unifikimin e qëndrimeve e veprimeve midis të gjitha forcave politike shqiptare të Luginës dhe rritjen e pranisë së tyre në të gjithë nivelet e qeverisjes lokale e qendrore, për të shprehur e realizuar interesat e zgjedhësve të tyre.
Lufta politike, këshilloi Kryetari i Kuvendit, duhet të ndahet nga përpjekjet dhe të jetë në funksion të të drejtave të shqiptarëve të Luginës. Në përfundim Ruçi nënvizoi se Shqipëria mbështet dialogun e qytetëruar me institucionet e Serbisë, në mënyrë që shqiptarët e Luginës të përfitojnë plotësisht të drejtat që u takojnë, në përputhje me normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht.

