Lulzim Basha ka mbyllur protestën e sotme më herët se zakonisht, me siguri pas thirrjes që ka bërë për qetësi Presidenti Meta. Ishte komunikimi i dytë në distancë mes tyre sot, pas komunikimit të parë në fillim të protestës, kur presidenti nxorri një letër për shfuqizim dekreti të zgjedhjeve.
Por edhe pse Luli ka mbyllur protestën, shumë prej militantëve të PD, me sa duket pasi u kanë mbetur kapsolla dhe fishekzjarre të papërdorura kundër policisë, kanë vazhduar t’i hedhin ato rrugës për tek autobuzët drejt qyteteve ku kanë ardhur. Dhe kjo ka shkaktuar shumë shqetësim dhe frikë mes qytetarëve të Tiranës, të cilët sot nuk kanë mundur të vazhdojnë qetësisht jetën e tyre të fundjavës, siç kanë bërë gjatë protestave të mëparshme kur kanë injoruar krejtësisht protestat e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Rrugët dhe rrugicat e qytetit kanë vazhduar të ushtojnë nga mjetet piroteknike dhe ulërimet, edhe pse nga selia e PD, Lulzim Basha I ka dhënë fund protestës së tetë, e cila ashtu si shtatë të mëparshmet, nuk e ka rrëzuar Edi Ramën.


