Sot në orën 10:00 pritej të zhvillohej seanca e radhës te Gjykata e Krimeve të Rënda për grupin e Shullazit, që akuzohet për gjobëvënie dhe disa vepra të tjera penale. E ndërsa një javë më parë u dha pretenca, sot avokatët do të paraqesin mbrojtjen.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në datë 2 tetor 17 vite burg për Emiljano Shullazin dhe 64 vite për të gjithë anëtarët e bandës. Pretenca u përgatit nga prokurorët Donika Prela, Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gent Osmani.
Avokatët e të dënuarve kanë kërkuar kohë për të përgatitur konkluzionet dhe seanca është shtyrë për në datën 23 tetor.
Seanca e sotme, ashtu sikur ka ndodhur edhe herët e kaluara, u zhvillua në masa të rrepta sigurie. Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës.
Dosja “Shullazi” futi në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi prokurorët refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.
Kjo situatë solli edhe penalizimin për prokurorët refuzues ndaj të cilëve, për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, ka nisur një hetim disiplinor, ndërsa Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela u transferuan në rrethe.
Pretenca e Prokurorisë për bandën e Shullazit:
Emiljano Shullazi – 17 vite burg
Gilmando Dani – 15 vite burg
Blerim Shullazi – 10 vite burg
Endrit Qyqja – 11 vite burg
Endrit Zela – 11 vite burg


