Momente paniku janë regjistruar në një tavernë në Selanik, pasi një automjet doli nga rruga dhe u fut në hapësirën e jashtme të lokalit, ku në atë moment ndodheshin disa klientë. Në timon ishte një 45-vjeçar shqiptar, i cili sipas policisë greke rezultoi nën efektin e alkoolit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, në zonën Evosmos, përgjatë rrugës Agamemnonos. Makina humbi trajektoren dhe përfundoi mes tavolinave të tavernës, duke plagosur tre persona.
Përplasja mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda. Disa vazo të mëdha me bimë, të vendosura në pjesën e jashtme të lokalit, shërbyen si pengesë dhe ndaluan automjetin të depërtonte më tej në zonën ku ishin ulur klientët.
Dy prej të plagosurve kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë larguar nga spitali. Një burrë vazhdon të jetë i shtruar, por sipas informacioneve të raportuara, gjendja e tij nuk paraqet rrezik për jetën.
Pronarja e tavernës ka treguar se ishte larguar nga ambientet vetëm pak minuta përpara aksidentit. Duke përshkruar skenën që gjeti pas rikthimit, ajo tha se ndërhyrja e vazove kishte shmangur një tragjedi.
“Nëse nuk do t’i kishim vazot, do të kishim funerale”, deklaroi ajo, ndërsa e përshkroi situatën e krijuar si një skenë filmi, me klientët të përfshirë nga paniku.


