Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm në Korfuz, ku babai shqiptar ka vrarë dhe më pas groposur në oborrin e shtëpisë vajzën e tij 28 vjeçe pasi nuk pranonte lidhjen e saj me një afgan.
Ndonëse e rëndë, raste të ngjashme vendi ynë ka hasur vit pas viti, që nga vrasja e vajzës shtatzënë “për nder” e deri tek ajo vetëm sepse burri ka qënë I dehur.
Çfarë ndodhi sot:
Një ngjarje e rende u zbulua sot në Korfuz, ku babai shqiptar kishte vrarë vajzën e tij natën e Vitit të Ri. Sipas mediave greke, shqiptari e ka vrarë vajzën dhe më pas e ka varrosur në oborrin pas shtëpisë, pasi ishte kundër lidhjes së saj me një të ri nga Afganistani. Viktima është Anxhela Pjetri 28-vjeçe, ndërsa i ati është arrestuar pas krimit.
***
U largua 3 ditë nga shtëpia, babai vret vajzën 19 vjeçare
Viktimë e këtij krimi në familje është Valentima Begu, 19 vjeçe, e divorcuar vetëm një vit më parë, ndërsa babai vrasës Nikoll Begu, 53 vjeç është dorëzuar pas krimit. Nga hetimet e para dhe dëshmitë e familjarëve, Valentina ishte larguar prej 3 ditësh nga shtëpia pa lënë asnjë adresë dhe është rikthyer rreth mesditës. Pas mbërritjes në banesë të të atit, ka nisur edhe debati mes tyre. Duke mos gjetur asnjë mënyrë komunikimi dhe asnjë bindje nga vajza e tij Nikoll Begu ka marrë armën dhe e ka shkrehur mbi 19 vjeçaren, duke e lënë të vdekur atë.
Babai vret vajzën 21-vjeçare me 8 plumba, pas shtatzënisë së saj të papritur
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Sllatinë të komunës Sllovë, në rrethin e Dibrës. Doksan Dushku, 59 vjeç, u arrestua gati 24 orë pasi qëlloi mbi vajzën e vetme, 21-vjeçaren Fatmira Dushku.
Fillimisht krimi është munduar të fshihet, duke u njoftuar të afërmit se Fatmira Dushku pësoi vdekje natyrale, pas një infarkti. Por një sinjal i dhënë pak para varrimit zbuloi vrasjen e vajzës së re, e cila ishte në muajin e pestë të shtatzënisë, pas një lidhjeje misterioze. Vajza ishte beqare dhe jetonte me tre vëllezër e të atin, ndërsa e ëma i kishte vdekur.
Pas marrjes në pyetje, babai i Fatmira Dushkut ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar se vrasjen e kishte kryer për të vendosur në vend dinjitetin e familjes.
Babai i dehur vret vajzën që po përpiqej të ndalte vdekjen e nënës
Një vajzë 17 vjeçe u qëllua për vdekje nga babai i saj, pasi kishte ndërhyrë për të shuar sherrin që ai kishte me nënën, ndërsa për mrekulli ka shpëtuar motra tjetër 22 vjeçe.
Kujtim Ibraj, rreth 45 vjeç, me origjinë nga Puka ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka plagosur me armë të ftohtë dy vajzat e tij. Njëra prej tyre dhe konkretisht 17-vjeçarja Elidona Ibraj, ndërroi jetë rrugës për në spital, pasi nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra në kraharor dhe bark.
/AlpeNews.al






