Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas padisë që ka dorëzuar ditën e djeshme, në ngarkim të kryedemokratit Lulzim Basha, deputetit Ervin Salianji dhe ish-policit të PD, Florenc Hoxha.
Balla ka shkuar në prokurori për të dorëzuar prova të reja për këtë padi. Kryetari i grupit të PS i ka akuzuar për kallëzim të rremë dhe për shpifje, Bashën, Salianjin dhe Hoxhën.
Pasi ka dalë nga ambientet e Krimeve të Rënda, Balla ka folur për gazetarët dhe ka thënë se sot ka bërë të gjitha deklarimet e nevojshme për shpifjet që sipas tij, PD ka hedhur drejt tij.
Dua t’ju them që në vijim të përpjekjes për të zbardhur morinë e shpifjeve, isha këtu, tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të dhënë deklarimet e domosdoshme që sqarojnë të gjitha shpifjet e hedhura drejt personit tim. Thashë tek Prokurori se Alizotin se kam takuar asnjëherë, dhe se ky njeri s’ka patur asnjëherë kontakt , kurrë, as verbalisht me mua. Dua të shpjegoj se unë kam bërë një kallëzim penal për kallëzim të rremë dhe shpifje të kryer në bashkëpunim, për Lulzim Bashën, Ervin Salianjin dhe Florenc Hoxhën. Besoj se kallëzimi im do t’i kalojë prokurorisë së Tiranës, sepse klasifikohet si vepër më e lehtë dhe hetohet nga prokuroria e Tiranës.
Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS
Padia e Ballës vjen pas videos së kunatit të Babales, Fredi Alizoti, të cilin e intervistoi Florenc Hoxha dhe e publikoi Salianji. Në videon e dytë për të cilën Balla depozitoi paditë, Alizoti pretendon se është marrë në makinë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe i është bërë presion për të dhënë në Prokurori dëshmi të rremë lidhur me çështjen “Babale”.
Gjithashtu, ai pretendon se është takuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili i ka premtuar para për të ndryshuar versionin e ngjarjes. Por, si Ardi Veliu ashtu edhe deputeti socialist, Taulant Balla, mohojnë akuzat e Fredi Alizotit.


