Duke folur për akuzat e hedhura nga opozita në drejtim të figurës së tij, Xhafaj deklaroi se në këtë ccështje janë përfshirë edhe edhe segmente të disa agjencive ligj zbatuese vendase.
“Natyra dhe edukimi im familjar, eksperienca ime politike dhe ajo jetësore më ka bërë që deri në fund të qëndroj në respekt të ligjit dhe të jem sa më institucional dhe i përgjegjshëm në gjithë konfliktin politik, që opozita krijoi me mua dhe për mua. Duke përfshirë këtu edhe manipulimin komplet kriminal të bërë në çështjen e audio- përgjimit me një qëllim final: shantazhin ndaj meje në funksionin e ministrit. E për fat të keq në këtë orkestrim duket se janë përfshirë edhe segmente të disa agjencive ligj zbatuese vendase. Dua të nënvizoj edhe faktin se ky sulm jo vetëm ka në themel diletantizmin politik të opozitës, por ai edhe për këtë shkak, ka pas tij interesat e botës së krimit”, deklaroi Xhafaj.
Ish-ministri tha se Policia e Shtetit gjendet sot nën një sulm dhe përbaltje sistematike të orkestruar nga segmente të politikës dhe një pjese të medias, disa prej të cilave për fat të keq, sipas tij, edhe nën influencën e grupeve kriminale, të cilat me sa duket ndjejnë ngushtimin e lakut dhe afrimin e përballjes me drejtësinë dhe po ushtrojnë trysni të gjithanshme.
Xhafaj theksoi se në përballimin e kësaj situate specifike kam pasur mbështetjen e Kryeministrit, të kolegëve të grupit parlamentar dhe padyshim të bashkëpunëtorëve të mi të afërt.


