“Greqia dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të besimit dhe dialogut me Turqinë dhe është përkrahësja më e nxehtë për anëtarësimin e saj në BE, por kohët e fundit, Ankaraja duket se po largohet nga synimi i saj europian”. Kështu u shpreh Kryeministri grek Alexis Tsipras, duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka folur për uljen e tensioneve mes dy vendeve dhe vendosjen e paqes.
“Deklaratat e tij janë të mirëpritura, por duhet të shoqërohen edhe nga hapa të mëtejshme, duhet të pasqyrohen edhe në veprime. Duhet të shoqërohen me akte të respektimit të së Drejtës Ndërkombëtare. Pozicionimi i Athinës dhe i BE-së në të njëjtën kohë është i qartë në lidhje me kthimin e menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë, pa asnjë kompensim dhe kushte të tjera të papranueshme”, tha Tsipras
Por në anën tjetër Athinës i kërkohet të dorëzojë ushtarakët turq që konsiderohen nga Ankaraja zyrtare si puccistë dhe që u larguan nga Turqia pas grushtit të dështuar të shtetit.
“Dëshiroj të theksoj se, për ne grekët janë të mirëpritura deklaratat e djeshme të presidentit turk, Taip Erdogan, për bashkëjetesën paqësore të popujve tanë. Vetëm se deklarata të tilla janë të rëndësishme dhe të vlefshme kur shoqërohen nga vepra. E kjo nuk duket!
Nëse shikon dikush atë që u theksua nga ana e tij për dy ushtarakët grekë, që mbahen arbitrarisht për një kohë të gjatë, në kundërshtim me çdo koncept të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë”, tha Prokopis Pavlopoulos.
Pavlopoulos e ka konsideruar të papranueshme shkëmbimin e ushtarakëve grekë me ata turq, pasi këta të fundit – sqaron ai, – kanë kërkuar azil politik në Greqi sipas së drejtës ndërkombëtare, qëndrim me të cilin janë pajtuar edhe të gjithë udhëheqësit e partive opozitare greke.


