Policia jep pas 24 orësh informacion për atentatin në Durrës. Sipas njoftimit zyrtar, më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Policia deklaron se si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar.
“Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person”, njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


