Bie në atentat bashkëpunëtori më i afërt i Florenc Çapjas. Mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:30 minuta është ekzekutuar në Antverp të Belgjikës 43-vjeçari Bledar Muça.
Ai është gjetur pa shenja jete në afërsi të vendit ku banonte, ndërkohë që kanë qenë banorët e zonës që kanë lajmëruar Policinë pasi kanë dëgjuar të shtënat. Fillimisht Policia belge nxori informacionin se ishte ekzekutuar një shtetas britanik, duke iu referuar dokumenteve që mbante me vete i ekzekutuari, ndërkohë që më vonë Policia vendase mësoi së bëhet fjalë për shtetasin shqiptar me emrin Bledar Muça. Sipas të dhënave të Policisë, shqiptari kishte pasur më herët precedentë kriminalë në vendin e tyre, ndërkohë që bëhet me dije se Muça gjendej mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës që në muajin maj të vitit të kaluar, kohë kur Policia e Shtetit ndërmori operacionin për arrestimin e Ardjan dhe Florenc Çapjas. Para se Policia të ndërmerrte atë operacion, u tha se Florenc Çapja bashkë me Bledar Muçën ikën nga Shqipëria duke u vendosur njëri në Dubai dhe tjetri në Britani.
PO KUSH ISHTE BLEDAR MUÇA?
Emri i Muçës lidhet me thuajse të gjitha ngjarjet që në fokus kanë pasur burrat e fisit Çapja. Ai doli në skenë në disa ngjarje të njëpasnjëshme që lidheshin me atentate e viktima të shumta, ndërkohë që arriti t’i shpëtonte vrasjes disa herë në sulme të organizuara kundër tyre në qytetin e Elbasanit.
Muça mundi t’i shpëtonte një prej sulmeve më brutale që ka ndodhur në vendin tonë dekadën e fundit, ku 6 vite më parë u sulmuan në një lokal në Elbasan dhe u vranë tre persona. Edhe më vonë u organizua një tjetër pritë ndaj tyre, por sërish dy miqtë e ngushtë, Florenci dhe Bledari, mundën të shpëtonin, ndërkohë që emri i tij u lidh edhe me dy përplasje me Policinë. Në njërin u tha se ai qëlloi mbi Policinë e Elbasanit, ndërkohë rreth dy vite më vonë ai tentoi t’i merrte jetën një punonjësi të Policisë së Burgjeve me anë të një aksidenti.
Po ashtu, emri i Muçës del në skenë që kur nisi hakmarrja e përgjakshme për vrasjen e Sokol Çapjas, xhaxhit të Florencit, duke shënuar pas asaj kohe një mori viktimash. Që nga vrasja e dy vëllezërve Rexhepi në Elbasan, ekzekutimet e babë e bir brenda banesës e tyre, më vonë edhe të një tjetër djali të familjes Beqiri e deri tek ekzekutimet jashtë vendi si larje hesapesh mes grupeve rivale, emri i Bledar Muçës gjithnjë ka qenë i dyshuar, por Policia dhe Prokuroria asnjëherë nuk mundën të gjejnë provat e duhura që ai të lihej në qeli. Madje edhe sa herë është arrestuar, Muça ka mundur të lirohet për shkak të mosfaktimit të asnjë akuze që ngrihej ndaj tij për ngjarje të rënda.
HETIMET
Prokuroria dhe Policia belge kanë qenë tejet të rezervuara në lidhje me atentatin ndaj shqiptarit në vendin e tyre, ata kanë dhënë detaje vetëm për sa i përket faktit që vrasësit e tij janë larguar me një makinë nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët kanë treguar se kanë parë dy persona që iknin me vrap në drejtim të mjetit, ndërkohë që nuk është dhënë asnjë informacion tjetër mbi ekzekutimin. Policia belge ka nisur hetimet mbi përplasjet e grupeve rivale për trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht me trafikun e kokainës.
Sulmi mbi burrat e fisit Çapja
Në vitin 2016 lokali që ishte në përdorim nga Agron Çapja në Elbasan u sulmua nga një grup prej katër personash të veshur me rroba të forcave speciale dhe të pajisur të gjithë me kallashnikovë. Në atë pritë u vranë tre persona dhe u plagosen 8 të tjerë, ndërkohë u tha se brenda ambienteve të lokalit gjendeshin 19 burra, të gjithë fis dhe miq të Çapjave. Ngjarja bëri bujë, ndërkohë që në atë sulm u vranë Agron Çapja, nipi i familjes dhe një mik i afërt i Çapjave. Të plagosur në atë atentat mbetën edhe Florenc Çapja dhe Bledar Muça. Po ndërkohë Florenci u soll në ambientet e Spitalit Ushtarak, Muça sipas Policisë, pasi kishte marrë mjekimet e para, e kishte lënë spitalin. Por ai nuk u gjend asnjëherë të dëshmonte mbi atë ngjarje. Rreth dy muaj më vonë, ai ishte sërish në mjet me Florencin kur në mes të Elbasanit u goditën me armë, por për fat u tha se mjeti kishte xhamin e përparmë të blinduar dhe plumbat nuk i kapën dy të shënjestruarit. Policia mundi ta zbardhte atentatin e dytë duke arrestuar një të ri, si atentator me pagesë, po në lidhje me sulmin me tre të vdekur e 8 të plagosur nuk u mësua asnjëherë se kush ishin personat që e realizuan.


