Aleksandër Deda, 43-vjeç ka rënë për herë të dytë brenda dy vitesh, pre e një atentati me armë zjarri, por fatmirësisht këtë herë ka shpëtuar pa lëndime. 43-vjeçari nga Lezha ka qenë shënjestra e atentatorëve, ashtu si edhe në dhjetorin e vitit 2020, ku mbeti i plagosur. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë, ndërsa policia ka shoqëruar disa persona.
Ka qenë vetë 43-vjeçari, i cili ka njoftuar efektivët se në afërsi të një lokali në dalje të qytetit të Lezhës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, dhe nuk ka marrë asnjë dëmtim. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe krehjes së zonës nuk kanë konstatuar gëzhoja. Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, si dhe për gjetjen dhe fiksimin e çdo provë që mund të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Aleksandër Deda në vitin 2020 i ka shpëtuar një tjetër atentati me armë zjarri. Ai mbeti i plagosur në gjoks, ndërsa u qëllua teksa lëvizte me makinën e tij. Pavarësisht se nga atentati u plagos në gjoks, Deda nuk është ndaluar, por ka shkuar vetë me makinën e tij në spitalin e Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Aleksandër Deda i cili njihet si biznesmen në zonën e Lezhës, dhe jo si personazh problematik, pasi nuk kishte pasur probleme me policinë. 43-vjeçari njihet edhe me nofkën ‘Leksi i Druve’, megjithatë nuk dihen arsyet se përse ndaj tij është planifikuar atentati.


