Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Melaim Damzi, reagoi dje pas ngjarjes së rëndë në fshatin Shupenzë ku 60 nxënës përfunduan në spital pas asfiksimit që pati si shkak tymin e ardhur nga kaldaja. Damzi, ka dhënë dje dy deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Në deklaratën e parë ai u shpreh se mbanin përgjegjësi dhe se gabuan që kryen testimin e kaldajës me pelet.
“Mbaj të gjitha përgjegjësitë për ngjarjen e ndodhur. Ajo ishte aksidentale dhe situata u vu nën kontroll menjëherë. Kaldaja u vu në punë dje në mëngjes. Gabuam që nuk kryem testimin e kaldajës me pelet. Ngritëm emergjencat civile të bashkisë. Të gjitha institucionet bënë më të mirën e mundshme brenda pak orëve”, theksoi Damzi pas ngjarjes.
Por këtë deklaratë e ka kundështuar disa orë më pas në media ku theksonte se ngjarja ishte aksidentale pasi sistemi i kaldajave ishte testuar dhe kishte rezultuar tërësisht funksional.
“Në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, dua t’ju bëj me dije se ngjarja në gjimnazin e Shupenzës ishte tërësisht aksidentale. Kjo pasi sistemi i ngrohjes para dy ditësh iu nënshtrua një “testimi” nga punonjësit kompetent me njohje të plotë teknike dhe rezultoi tërësisht funksional dhe brenda parametrave”.


