Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur paraditen e sotme seancën e vlerësimit të Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku.
Në këtë seancë, Prokurorja e Përgjithshme nuk është e pranishme, duke u përfaqësuar nga avokatja Lirime Çukaj.
Komisioni i Pavarur Kualifikues do të vlerësojë aftësitë profesionale dhe të figurës, si dhe pasurinë e kreut të organit të akuzës. Trupa gjykuese për vlerësimin e Kryeprokurores, përbëhet nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.
Gjatë seancës, KPK vlerësoi se sipas ILDKPKI, Arta Marku ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk ka konflikt interesi.
Ndërkaq, edhe DSIK konfirmon përshtatshmërinë e Markut në detyrë.
Për aftësinë profesionale, KPK ka shqyrtuar një ankesë ndaj Markut, ku rezulton se për një person të akuzuar për “drejtim mjeti në gjendje të parregullt”, ka kërkuar masë të ashpër “arrest me burg”. Mësohet se shtetasi A.P pretendon se Arta Marku i ka shkelur të drejtat, pasi nuk ka arsyetuar perse e ka kërkuar ta lërë në burg.
Kujtojmë se Arta Marku pasi mori detyrën e Prokurores së Përgjithshme, ndërmori masa për disa komandime, dhe duke pezulluar disa të tjera. Gjatë seancës në KPK, u bënë pyetje specifike për këtë mënyrë riorganizimi, por nga ana e subjektit të vettingut u shpjegua se “nuk ka procedurë për personat që komandohen përkohësisht”.
“Megjithëse i janë kërkuar shpjegime per komandimet, Marku nuk ka paraqitur dokumente. Prokurorja e Përgjithshme ka informuar se urdhri për komandimet është i bazuar në ligj. Marku s’ka ndërmarrë asnjë hap për të përmirësuar procedurën e emërimeve”, thuhet nga KPK.
Sakaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shqyrtuar dy denoncime nga shtetasit me iniciale T.N dhe N.O, por që kanë rezultuar pa probleme.
Ish-prokurorja e Shkodrës u zgjodh Kryeprokurore e përkohshme në Kuvend, në një seancë të pazakontë më 18 dhjetor të 2017, kur deputetët e opozitës hodhën tymuese në shenjë proteste ndaj mënyrës së zgjedhjes së saj.
42-vjeçarja që punonte deri në atë kohë si zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës u ngjit në postin më të lartë të akuzës vetëm me votat e mazhorancës, pas 17 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë.
Ajo është pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të pozicionit të saj në krye të Prokurorisë, por edhe se më parë kishte kandiduar për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Arta Marku e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, kohë kur ka punuar për 1 vit si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Më pas ajo është transferuar në Shkodër, ku ka ushtruar detyrat si prokurore, drejtuese e Task-Forcës për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit si dhe zv. Drejtuese e Prokurorisë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.


