Policia italiane ka vendosur në pranga bosin e mafias Giuseppe Guttadauro i njohur njëherësh si ‘Doktori’ i përfshirë më parë edhe në skandalin e ADN-ve në spitalin privat të Palermos, ku ka qenë edhe drejtuesi i këtij spitali. Ai është vendosur në pranga së bashku me djalin e tij, Mario Carlo Guttadauro. DROGA
Giuseppe Guttadauro është lënë në arrest shtëpie ndërsa djali i tij ka përfunduar në burg. Të dy akuzohen për krijimin e një grupi të krimit të organizuar të tipit mafioz. Të at e bir mësohet se i përkasin familjes ‘Cosa Nostras’ të Palermos. Bosi Giuseppe Guttadauro është vëllai i Filippo Guttadauro, kunati i bosit Matteo Messina Denaro. Sipas aktakuzës, Guttadauro që nga viti 2012 kur ishte shpërngulur në Romë pas lirimit të tij pas 20 vitesh burg, ai vijonte të mbante kontakte me organizatën mafioze nëpërmjet djalit të tij.
Gjatë hetimit u dokumentua edhe ndërhyrja e Giuseppe Guttadauros për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kishin lindur në Palermo lidhur me kryerjen e punimeve që do të kryheshin në një strukturë të rëndësishme industriale në zonën e Brancaccios. Gjithashtu hetimet kanë nxjerrë në dritë rolin e Guttadauros në trafikun e drogës. Ai akuzohet se ka organizuar trafikun e drogës me vendet e tjera i financuar nga disa palermitanë, duke krijuar një linjë të blerjes së kokainës me Amerikën e Jugut së bashku me një shqiptar, shkruajnë mediat italiane.
Grupi i drejtuar nga Guttadauro kishte dërguar në Brazil përmes një stjuardese rreth 300 mijë euro sapo dërgesa e drogës që vinte nga Amerika e Jugut të mbërrinte në Holandë. Veprimtaria kriminale u zbulua edhe nga rrëfimi i të penduarit të drejtsisë Francesco Colletti. Sipas përgjimeve, thuhet se Guttadauro shprehet i shqetësuar kur informohet se një tjetër i penduar si Filippo Bisconti i ishte rrëfyer drejtësisë. Për këtë arsye, ai kishte vendosur që të kalonte statefën tek djali i tij, për të qenë i lidhur me Cosa Nostran.


