Botutuesi Henri Çili ka folur sot gjatë seancës për dhënien e masave të sigurisë në Përmet, duke pranuar vërtetësinë e të gjitha bisedave të përgjuara.
Por Çili ka argumentuar se ai ka një studio ligjore që ia legjitimon ndërmjetësimin dhe të gjitha bisedat e kryera janë brenda profilit të punës së kësaj studioje ligjore. Sipas tij, ngjarja e fundit do të jetë një shtysë për forcimin e masave të mëtejshme në mënyrën e funksionimit të studios së tij.
Ai ka thënë se në këtë akuzë nuk ka asgjë që mund të konsiderohet si çështje penale ndaj edhe avokati i tij Andi Duraj ka kërkuar lirimin e Çilit. Avokati është shprehur se Prokuroria e Përmetit është nxituar se nuk ka as juridiksion, as kompetencë për ndalimin e Çilit.
Sakaq, trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin për Çilin dhe 30 të arrestuarit e tjerë gjatë operacionit “Mezhgorani”. Hetimet u zhvilluan nga prokuroria e Përmetit, pas përgjimeve ndaj kunatit të Henri Çilit, por që bisedat zbuluan edhe negociatat e Çilit për lehtësimin e dënimit për vëllezërit Aliko, të dënuar për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha në Lazrat.


