Barush Bregu është emri i 33-vjeçarit, që u arrestua gjatë ditës së sotme në zonën e ‘’Komunës së Parisit’’ në Tiranë.
33-vjeçari është nën hetim që prej muajit gusht 2018, kur një seri ngjarjesh kriminale kishte përfshirë qytetin e Shkodrës.
Po ashtu mësohet se ai bashkë me grupin kriminal, Bajri ka marrë pjesë në disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në këtë qytet, të cilat ende mbeten të pazbardhura.
E ditur bëhet se Barush Bregu i konsideruar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, fshihej prej disa javësh në një banesë në katin e fundit të një pallati tek zona e “Komunës së Parisit”.
Bashkë me të është arrestuar edhe Bajram Çekorja. Mësohet se 21-vjeçari nga Shkodra e ka ndihmuar atë të fshihet.
Në njoftimin e policisë shkruhet:
Bregu është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie ‘Arrest në burg’, për armëmbajtje pa leje, pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia, në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Gjithashtu ky shtetas është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për ‘Trafikim të lëndëve narkotike.’’


